Krasniqi: “Veterani” i rrejshëm Albin Kurti tregoi fytyrën e vërtetë ndaj veteranëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK[, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën e trajtimi të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK] duke thënë se qeveria sot tregoi fytyrën e vërtetë.

Krasniqi ka thënë se trajtimi i tyre në këtë formë është i papranueshëm dhe i pafalshëm.

“Albin Kurti dhe shërbëtorët e tij të verbër duhet ta dijnë që mbi guximin dhe sakrificën e këtyre veteranëve, ne kemi ndërtuar shtet e institucione, në të cilat ata sot janë strukur e po orkestrojnë politika diskriminuese ndaj tyre.”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Shkrimi i plotë:

Pushteti i Vetëvendosjes i udhëhequr nga “veterani” i rrejshëm Albin Kurti, sot tregoi fytyrën e vërtetë me përbuzjen publike që u bëri luftëtarëve të lirisë.

Ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe trajtimi i padinjiteshëm i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pushteti i Albin Kurtit, ishin pamje që asnjë qytetar i Kosovës nuk do të donte e as nuk do të duhej t’i përjetonte.

Kjo fyerje e ky diskriminim ndaj veteranëve të vërtetë, edhe përmes iniciativa ligjore, ku kryeministri i Kosovës i trajton luftëtarët e lirisë – kategorinë më meritore për lirinë tonë – si qytetarë të rendit të dytë, është i papranueshëm dhe i pafalshëm.

Albin Kurti dhe shërbëtorët e tij të verbër duhet ta dijnë që mbi guximin dhe sakrificën e këtyre veteranëve, ne kemi ndërtuar shtet e institucione, në të cilat ata sot janë strukur e po orkestrojnë politika diskriminuese ndaj tyre.

Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës, me çdo mjet demokratik do të mbështesë të drejtat e veteranëve dhe nuk do të lejojë përbuzjen e çlirimtarëve tanë në këtë mënyrë.