Shqipëria sonte përballet me Çekinë

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll sonte (e enjte) e zhvillon njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme në këtë vit, pasi mund të këtë ndikim për kualifikimin në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Kundërshtarë të kuqezinjve është Kombëtarja e Çekisë dhe ndeshja zhvillohet në stadiumin “Fortuna Arena” nga ora 20:45.

Trajneri i Shqipërisë, Sylvinho është shprehur se ndeshja ndaj çekëve është shumë e rëndësishme, por jo vendimtare për kualifikimin.

“Jam i kënaqur për gjendjen e skuadrës. Motivimi është i lartë dhe duhet të them se është një ndeshje e vështirë, djemtë e dinë këtë dhe ata janë mësuar të luajnë në të tilla ndeshje. E qartë që kërkohet një përgjegjësi më e madhe këtë herë, duke parë ndeshjen që kemi përpara. Ne e ndjejmë përgjegjësinë që kemi, këto janë ndeshje për t’u shfrytëzuar në mënyrën më të mirë. Janë ndeshje të rëndësishme dhe të gjithë duan të luajnë. Jam shumë i lumtur për këtë”, ka thënë Sylvinho.

“Ne në këtë moment nuk jemi akoma në gjysmën e ndeshjes. Mungojnë akoma edhe 5 finale. Të enjten do të jemi në 50% të rrugës dhe do të kuptojmë sa janë shanset tona. Nesër është e rëndësishme paraqitja, të ecim përpara në rrugën tonë, të bëjmë një lojë të bukur dhe të marrim pikë sepse ndryshe nuk arrijmë dot tek objektivi ynë. Llogaritë mund të bëhen vetëm në nëntor. Llogaritë nëse duhet të luanim për barazim ose fitore mund t’i shikojmë në nëntor, sot nuk bëhen llogari. Unë jam absolutisht i bindur se 23 lojtarët që kam në skuadër nesër do të zbresin në fushën e lojës për të fituar. Duam të bëjmë një ndeshje të mirë dhe të marrim pikë. Llogari nuk dua të bëj, ne jemi 100% të përqendruar te kjo ndeshje me Republikën Çeke. E thashë edhe më parë që kanë një trajner ekspert me lojtarë shumë të mirë, por edhe unë jam shumë i kënaqur me lojtarët që kam. Kemi lojtarë të fortë, jemi një skuadër e fortë dhe do të zbresim në fushën e lojës për të bërë mirë”, ka deklaruar Sylvinho.

Në konferencë për medie i pranishëm ishte edhe mbrojtësi Berat Gjimshiti, i cili ka thënë se kuqezinjtë do të hynë në fushë për të marrin maksimumin dhe më pas do të mendojnë për Poloninë. “Grupi sapo është formuar goxha dhe jemi një grup me më shumë eksperiencë, lojtarë të rinj që japin më shumë. Kemi besimin që është 100% te ne. Nëse nuk beson gabon që luan në këto ndeshje. Me Çekinë gjithmonë vendimtare janë tre pikët. Janë pesë ndeshje finale që do të japim maksimumin dhe më pas do të shohim ku do të renditemi”, ka deklaruar Gjimshiti. Në Grupin E, Shqipëria është e dyta me 6 pikë, kurse në anën tjetër Çekia është e para me një pikë më shumë se kuqezinjtë.