Shtyhen për nesër negociatat Rusi-Ukrainë

Negociatat Rusi-Ukrainë që planifikohej të zhvilloheshin mbrëmjen e sotme në Bjellorusi, janë shtyrë për nesër.

Kështu raportojnë mediat e huaja, përcjell Demokracia.com.

Siç raporton mediumi “Rusia 24”, delegacioni rus ka mbërritur në Bjellorusi për raundin e dytë të bisedimeve me Ukrainën.

Ata kanë cituar kreun e delegacionit rus Vladimir Medinsky.

Ai tregoi se edhe delegacioni ukrainas është nisur nga Kievi dhe është rrugës për në Bjellorusi, por ata pritet të mbërrijnë mëngjesin e nesërm.

“Delegacioni ukrainas u largua nga Kievi për negociata me palën ruse, aktualisht janë në rrugë, ardhja e tyre pritet më 3 mars në mëngjes”, tha shefi i delegacionit rus, Vladimir Medinski.

Po ashtu ai tha se shërbimet speciale bjelloruse sigurojnë plotësisht sigurinë e delegacionit rus.

“Shërbimet speciale bjelloruse garantojnë sigurinë tonë në Bjellorusi dhe ushtria jonë [ruse] ka siguruar një kalim të sigurt për lëvizjen e tyre e delegacionit ukrainas në territorin e Ukrainës,” tha Medinsky i cili shtoi që bisedimet do të zhvillohen në kufirin Poloni-Bjellorusi.

Delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë do të përfaqësohen nga të njëjtët anëtarë si gjatë raundit të parë, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.