Simmons vërteton deklaratën e OVL të UÇK-së të para 10 vjetësh

Dëshmia shokuese që ish-kryegjyqtari i Eulex-it Malcolm Simmons e paraqiti dje para komisionit parlamentar për legjislacion, përputhet me shqetësimet që OVL të UÇK-së i kishte dhënë 10 vjet më parë.

Simmons foli për përzierjen e politikës në drejtësi si dhe tregoi se sa i lehtësuar është ndjerë kur EULEX-it i skadoi mandati ekzekutiv. Çuditërisht, dëshmia e tij, ka vërtetuar komunikatën e veteranëve të luftës, të lëshuar me 7 maj 2011, një muaj pas së cilës ishte marrë në pyetje kryetari i atëhershëm i OVL të UÇK-së Muharrem Xhemajli.

Ky është teksti i plotë i komunikatës së OVL të UÇK-së:

Pas analizës së arrestimeve të bashkëluftëtarëve në mënyrë sistematike nga ana e misionit të EULEX-it, keqtrajtimit të tyre dhe shkeljen e të gjitha procedurave paraprake ligjore, shkeljes së të drejtave themelore të njeriut në rastet në fjalë që nga mënyra e arrestimit e deri tek zgjatja e paraburgimit, Këshilli Drejtues i OVL të UÇK-së, njëzëri konstatoi se nuk është në pyetje vendosja e drejtësisë, por qëllimi i vetëm është tentimi i kriminalizimit të luftës çlirimtare, tentimi për barazimin e vlerave të shenjta kombëtare shqiptare me krimet e ushtrisë, policisë e grupeve paramilitare okupuese e gjenocidale, tentimi i barazimit të luftës për çlirim me okupimin e egër njëshekullor.

Për këtë arsye, OVL të UÇK-së iu bën thirrje të gjithë veteranëve të luftës, që të mos njohin autoritetin e EULEX-it në Kosovë, të mos i përgjigjen ftesave të tyre, të mos japin asnjë lloj deklarate pranë organeve të këtij misioni në asnjë rrethanë, edhe në rast se arrestohen për të ashtuquajtura krime të luftës.

Njëherësh, OVL të UÇK-së, i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, që të iniciojë menjëherë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, për heqjen e të gjitha kompetencave ekzekutive të EULEX-it.

Këshilli Drejtues i OVL të UÇK-së, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, konsideron se miratimi i ligjit për vlerat e luftës nga ana e Kuvendit të Kosovës, është bërë domosdoshmëri për ruajtjen e stabilitetit të brendshëm në Kosovë. Ne kërkojmë që të gjitha subjektet që marrin pjesë në Kuvend, të jenë të bashkuara rreth çështjes së ligjit dhe që i njëjti të mos politizohet, por të miratohet sa më shpejt dhe njëzëri.