Sinani: Kosova ngriti në dialogun e Brukselit problemin e transferit të mjeteve të Preshevës

Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani përmes një postimi thotë se Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Kosovës ka ngritur në dialogun e Brukselit me Serbinë çështjen e pengesave nga Thesari i Republikës së Serbisë të transferimit të 100.000 eurove të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 50.000 eurove të Komunës së Prishtinës, transmeton Fokusi.info.

Postimi i plotë në Facebook nga Ardita Sinani:

Falenderoj Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, z.Besnik Bislimi, që në vazhdën e bashkëpunimit dhe bashkërendimit tonë, ka ngritur sot në dialogun e Brukselit, çështjen e pengesave nga Thesari i Republikës së Serbisë të transferimit të 100.000 eurove të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 50.000 eurove të Komunës së Prishtinës, për mbulimin e pjesshëm të dëmeve nga vërshimet në Komunën e Preshevës.

Nuk ka arsye që transferi i këtyre mjeteve financiare me dedikim humanitar të vazhdojnë të bllokohen, aq më tepër duke pasur parasysh se më vitin 2020, ndihma e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vlerë prej 500.000,00 euro për ta ndihmuar luftën kundër pandemisë Covid-19, ishte transferuar pa pengesa nga Thesari i Republikës së të Kosovës drejt Thesarit të Republikës së Serbisë.