Sindikata e Shërbyesve Civilë: Le të provojë qeveria t’i ulë pagat

Edhe pse ende nuk ka një vendim përfundimtar nga Ministria e Financave dhe Transfereve për uljen e pagave në sektorin publik pas krizës së krijuar nga koronavirusi, kjo po vlerësohet e papranueshme nga përfaqësuesit e shërbyesve civilë.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, tha për Ekonomia Online se në asnjë rrethanë dhe për asnjë çmim nuk do ta lejojnë uljen e pagave të shërbyesve civilë. Ai thotë se nga ministria u është thënë se ky paralajmërim nuk është i vërtetë.

“Ne kemi deklaruar edhe më herët dhe për këtë informatë kam diskutuar me subjektin politik që është në qeverisje. Një përgjigje nga ministri në detyrë kemi marrë se nuk është e vërtetë kjo çështje, por në vazhdimësi është përfolur se do të ketë një tendencë të tillë që të zvogëlohen pagat e shërbyesve civilë. Qëndrimi ynë është i prerë sepse në asnjë mënyrë e rrethanë nuk do të lejojmë të preken pagat e sektorit civil në kohën kur presim që vendimi nga Gjykata Kushtetuese të merret dhe të ketë nivelizim të pagave ashtu siç e kemi kërkuar”, u shpreh Zymberi.

Ai e quajti të pandërgjegjshëm një propozim të tillë, derisa ia bëri të qartë qeverisë se nëse tenton të bëjë një gjë të tillë, sindikata do t’i përgjigjet me greva dhe protesta. “Në këtë kohë të dilet me propozimin që të ulen pagat e shërbyesve civilë në emër të ekonomizimit të buxhetit është e pandershme, e papërgjegjshme dhe e palejueshme. Jemi të bindur në qëndrimin tonë, nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që qeveria t’i prekë pagat e shërbyesve civilë në asnjë rrethanë. Ta ketë të qartë qeveria, nëse nuk do kaos, le të ketë kujdes e mos t’i prekë pagat sepse nuk kemi burime të tjera të financimit. Ligji për organizim sindikal e lejon veprimin sindikal që nënkuptohet edhe grevë edhe protestë. Nuk besoj se ka me ardhë puna deri aty por, nëse është e gatshme qeveria ta provojë, le ta provojë”, tha ai.