Sindikata insiston në shkarkimin e kryeshefit të “Trepçës” – Opozita: Leja duhet që të jepet nga “mbreti” Albin Kurti

Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kanë raportuar Kryesia e Sindikatës së Trepçës, lidhur me gjendjen e krijuar në ndërmarrje.

Deputetët e opozitës patën kritika për mospjesëmarrjen e ministres së Ekonomisë Artane Rizvanolli, e cila ka qenë e ftuar që të raportoj në lidhje me këtë çështje, por që e njëjta nuk ka marr pjesë pasi është jashtë vendit.

Në lidhje me këtë, deputetët e opozitës thanë se kanë informacion se ministrja gjendet në Kosovë por që e njëjta nuk ka ardhur me vetdëshirë, pas situatës jo të mirë të krijuar në ndërmarrje “Trepça”.

Gani Osmani, minator, tha se shkaktar i të gjitha të këqijave është kryeshefi ekzekutiv. Ai tha se kërkesa kryesore e tyre është që ai të dorëhiqet.

“Asnjëherë nuk ka gjet një minutë më ardhur me shikuar se çfarë po ndodh më minatorët. Shkaktari i krejt këtyre është ky. Është dashur qeveria edhe deputet për hir të situatës me i kërkuar dorëheqjen”, tha ai.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, tha se sipas informacioneve ministrja Rizvanolli nuk është jashtë shtetit, por është në Kosovë. Ai tha se kërkesat e minatorëve janë legjitime.

“Po ndihem keq që kemi ardhur deri te kjo gjendje as pak e pranueshme. Nuk ka detyrë më primarë që sot i tërë kabineti qeveritar të mblidhet dhe të jep zgjidhje që t’i realizojë kërkesat e juaja legjitime, sidomos për në kryeshef që e ka sjell situatën këtu”.

“Është për të ardhur keq kur ministrja Rizvanolli nuk vijnë dhe gjen shkaka se është jashtë vendit. Sipas informacioneve që kam ajo sot e ka thirrur kryeshefin në ministri ndërsa zyrtarisht neve na thotë është jashtë vendit. Është e pa pranishëm që një kryeshf për dy vite nuk ka hyrë për të shikuar se çka po bëjnë minatorët. Unë sot kërkoj nga kryeministri dhe Artanja që të shkakoret kryeshefi i ekzekutivit dhe të plotësohen kërkesat e juaja”, tha ai.

Deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku, tha se sa i përket kërkesë për shkarkim të kryeshefit leja duhet që të jepet nga “mbreti” Albin Kurti.

“Kërkesat e juaja janë të arsyeshme dhe esenciale, sa i përket shkarkimit të menaxhmenti duhet me dhënë pëlqimin mbreti Albin Kurti. Jemi në gjendje që të formojë një grup punues që ri ndihmojë edhe Qeverisë edhe juve që të dalim nga kjo gjendje. Si opozitë jemi të pafuqishme që të bashkëpunojmë me Qeverinë, sepse ata nuk pranojnë. Urgjentisht të ftohet ministrja sepse edhe unë kam informata që ajo është në Kosovë nuk është jashtë vendit”, tha ai.

Deputetja e VV-së Jeta Statovci, tha se ministrja ka njoftuar se nuk mund të jetë prezentë në momentin që ka marr ftesën. Ajo tha se Qeveria e Kosovës e ka prioritet këtë çështje dhe se për çdo muaj ajo ndanë nga 600 mijë euro për këtë ndërmarrje.

“Ministrja ka njoftuar në momenti që kemi dërguar ftesën se nuk mund të marr pjesë. Nuk ka qenë qëllimi që me manipuluar. 600 mijë euro në muaj subvencionohet që të jete në gjendje normale. Nashta kta edhe kanë dëshirë që me falimentuar ‘Trepça’”, tha ajo.

Kryetari i Sindikatës, Ibrahim Januzi, u bëri thirrje deputetëve që të mblidhen bashkë dhe tu përgjigjen kërkesave të minatorëve.

Ai tha se kryeshefi aktual i ka shantazhuar minatorët e sindikatën, sipas tij, ai e ka shuar demokracinë e brendshme, ka minuar demokracinë e ka minuar fjalën e lirë.

“Ne nuk jemi të manipuluat. Ne kemi ardhur në një situatë të rëndë gjendja është në kushte të mjerueshme. Pa mjete të punës ne nuk mund të tregojmë produktivitet. Është tkurrur numri i punëtorëve, nuk ka investime në mjete të punës, mund të bëjmë politika, por jeta e minatorëve është e rëndësishme. Nuk është koha për politikë, nuk është koha për të matur performacnë. Kërkesat janë minimale sociale. Që katër muaj rresht nuk na ekzekutohen pagesat me rregull”, tha ai.

Deputeti i VV-së Armend Muja, tha se Qeveria aktuale ka investuar më shumë se sa që është investuar ndër vite. Ai tha se sipas informacioneve që ka pranuar paga mesatare e një minatori është 950 euro.

“Nga raporti që kam është se paga e mesatare e një minatori është 950 euro bruto”, tha Muja.

Minatori Gani Osmani tha se të dhënat në raport që i prezantoi deputeti Muja nuk janë të vërteta, raporton EO.

“Janë total të pa vërteta. Paga ime 846 euro me shujta. Ju të gjithë keni qenë në pushet, kjo nuk është bërë për dy vite, por kurrë ma keq nuk ka qenë gjendja”, tha ai.