Sipas Prokurorisë: Emri i Florim Ejupit nuk është përmendur kurrë në hetimet për vrasjen e Ivanoviqit

Burime zyrtare të Periskopit brenda Prokurorisë së Kosovës kanë konfirmuar se nga hetimet e deritanishme lidhur me vrasjen e politikanit serb në Mitrovicën e veriut, Oliver Ivanoviq, nuk është përmendur asnjëherë emri i shqiptarit Florim Ejupi.

Të njëjtat burime jozyrtarisht i kanë konfirmuar Periskopit se nuk ka pasur hetime në këtë drejtim dhe se deri më tani nuk kanë dëgjuar për përfshirjen e këtij individi në këtë rast.

Sipas tyre, e gjithë kjo është inskenim i politikanëve serbë dhe përpjekje për ndryshim të rrjedhës se hetimeve lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

Emrin e Florim Ejupit, si të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, e përmendi dje në një konferencë për media, presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Ai tha se Ejupi është i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit. Dhe menjëherë sot kjo deklaratë e tij është bërë kryelajm në mediat serbe.

Për këtë çështje, Periskopi ka kontaktuar edhe zyrtarë të Prokurorisë së Kosovës.

Të njëjtit i kanë thënë Periskopit se nuk mund të komentojnë deklarata politike lidhur me hetimet në raste të tilla.

E aq më pak kur deklarata të tillë vinë nga zyrtarë serbë, kur dihen qëllimet e tyre aspak të mira.

“Pyes pse nuk po na i japin videot nga Aeroporti i Tiranës, Rinasi? pse nuk mund të gjejmë dëshmi se çfarë ka bërë Florim Ejupi, i cili është nën vëzhgim në Gjermani dhe çfarë ka bërë ai në Aeroportin e Tiranës, prej nga ka udhëtuar drejt Gjermanisë. Çfarë ka bërë Nexhmedin Zekaj, i cili ka ndërruar emrin e tij në Lirim Zekaj më pas? Këto janë të gjitha pyetje për të cilat ne nuk mund të marrim përgjigje”, ka thënë dje Vuçiq në një konferencë për media.

Oliver Ivanoviq u vra në janar të vitit 2018, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës dyshon se në Milan Radojciqin, zyrtar i Listës Srpska dhe njeriu që thuhet se kontrollon Veriun.

Ndërsa, Vuçiq thotë se Radojciq nuk ka lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.