Skandaloze: Keqpërdorën fondet e Asociacionit të Gazetarëve, aktakuzë ndaj katër personave

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave që dyshohen se kanë keqpërdorur fondet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gjatë mandateve të kaluara në periudhën janar 2016 – korrik 2018.

Veprimi i prokurorisë është ndërmarr pas kallëzimit penal të ngritur nga vetë Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, katër të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Ju njoftojmë se, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 01.10.2019, ka ngritur aktakuzë kundër katër (4) personave, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, ka deklaruar Laureta Ulaj nga Prokuroria Themelore për sinjalin.

Prokuroria nuk ka bërë të ditur emrat e të dyshuarve ndaj të cilëve është ngritur aktakuza, por nëse vërtetohet fajësia e tyre, ata rrezikojnë të dënohen deri në 10 vjet burg.

Në Qershor të vitit 2018, Bordi i kaluar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, kishte shkarkuar nga detyra Drejtorin Ekzekutiv të AGK-së, A.S nën dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, falsifikim dokumentesh, raportim të rrejshëm para Bordit dhe lidhje të kontratave të dëmshme pa dijeninë paraprake të Bordit, duke bërë shkelje të statutit të organizatës, kontratës së punës dhe legjislacionit në fuqi.

AGK poashtu kishte miratuar dorëheqjen e financieres F.D, e cila është ofruar pas prezantimit të draft dokumentit të auditimit të pavarur, ku evidentohen shkelje dhe lëshime në fushën e menaxhimit të financave, thuhej në komunikatën e atëhershme publike.

Bordi i AGK-së, atëkohë ishte zotuar publikisht për inicimin e këtij rasti te organet e drejtësisë duke dhënë shembullin e luftimit të dukurive negative me qëllim të ruajtjes së imazhit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, si organizata e vetme kredibile që i përfaqëson interesat e komunitetit të gazetarëve në Kosovë.

“Bashkëpunimi me organet e drejtësisë dhe luftimi i dukurive negative brenda organizatës është e vetmja rrugë , me qëllim të ruajtjes së reputacionit dhe imazhit të organizatës të ndërtuar me shumë mund prej vitesh.”, theksohej në reagimin e Bordit të AGK-së.

Por, përkundër paralajmërimit, rasti nuk kishte arritur të procedohej në organet e drejtësisë për shkak të mbajtjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të AGK-së.

Bordi i ri i organizatës, i dalë nga zgjedhjet e organizuara më 31 korrik 2018, kishte ngritur Kallëzimin Penal të cilin së bashku me të gjitha dosjet dhe materialin në dispozicion, i kishte proceduar tek organet e drejtësisë, në fund të vitit të kaluar.