Hooper gjen mospërputhje mes komunikatës së qershorit dhe aktakuzës kundër Thaçit

Michele Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen janë tre gjyqtarët e Apelit që funksionojnë në kuadër të Dhomave të Specializuara të Gjykatës dhe Prokurorisë në Hagë. Të tre këta gjyqtarë e kanë në dorë lëndën e apelit të krerëve të UÇK-së të cilët kanë kundërshtuar vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake për lirim nga paraburgimi.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Kadri Veseli e kanë çuar në Apel vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake i cili ua refuzoi kërkesat për lirim nga paraburgimi. Kërkesat në fjalë janë adresuar duke filluar qysh nga data 4 shkurt, mirëpo që janë bërë publike tash së voni, shkruan lajmi.net.

Avokati i ish-presidentit Thaçi, David Hooper, në parashtresat apeluese të tij, thotë se gjyqtari i procedurës paraprake ka kërkuar një gjë të pamundur kur ka konstatuar se Thaçi do të duhej t’i eliminonte në saktësi të gjitha rreziqet lidhur me procedurën, duke vënë në pah se kjo është shkelje e të drejtës për lirim të përkohshëm në pritje të gjykimit.

Hooper tutje përmend argumentimin e prokurorisë së Specializuar i cili u arsyetua nga gjykatësi i procedurës paraprake, që ka të bëj me faktin se Thaçi bazuar në akuzat të cilat rëndojnë mbi të, mund të dënohet me burgim të përjetshem, dhe se kjo paraqet rrezik ikjeje nëse ai lirohet përkohësisht.

Hooper ka thënë se këto pretendime të Prokurorit Special janë krejtësisht të pabazuara, duke përmendur faktin se Thaçi ishte i dyshuar potencial për krime serioze lufte që nga 2011-ta kur ishte publikuar raporti i Dick Martyt.

“Në mënyrë të veçantë, fakti që ai ishte një i dyshuar i mundshëm në kryerjen e krimeve të rënda i ishte bërë e ditur z. Thaçi që nga botimi i Raportit të Marty në 2011, ashtu si edhe realiteti që statusi i tij mund të ndryshojë nga i dyshuari potencial në të vërtetë permes themelimit të KSC-së”, thuhet në parashtresat e avokatit Hooper.

Avokati i Thaçit tutje hedh kritika të ashpra edhe ndaj komunikatës së lëshuar në qershor të vitit të kaluar, e cila ishte cilësuar si politike, e që kishte të bënte me faktin se Prokuroria ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatë ndaj Thaçit e Veselit.

Hooper thekson se në atë komunikatë, Thaçit i jepej një rol udhëheqës në pretendimet se ai ka kryer krime lufte.

Ndërkaq, Hooper thotë se e kundërta ndodhë në aktakuzë, ku Thaçi përmendet vetëm në 24 nga 173 paragrafët e saj.

“Në të vërtetë, duke lënë mënjanë paragrafët hyrës në lidhje me statusin personal dhe profesional të të akuzuarit, z. Thaçi paraqitet në vetëm 24 nga 173 paragrafët e Aktakuzës, duke përfshirë vetëm katër nga 115 paragrafët që adresojnë krimet themelore. Në fytyrën e saj kjo mbase sugjeron një rol më të kufizuar sesa në Njoftimin për Shtyp të Qershorit 2020”, thuhet në parashtresat e Hooper.

Avokati i ish-presidentit tutje hedh poshtë të gjitha pretendimet të cilat u konsideruan me bazë nga Gjykata, se kinse Thaçi ka lidhje me OVL-UÇK-në. Hooper thotë se nuk ekziston asnjë bazë që vërteton faktin se i mbrojturi i tij, ka ndonjë pozitë në OVL, apo ka përdorur njerëzit e kësaj organizate për siç e quan ai “veprime të gabuara” në të kaluarën.

Hooper tregohet edhe më i ashpër me gjykatën dhe prokurorinë kur thotë se të gjitha pretendimet se Thaçi mund të mobilizojë rrjet mbështetësish për të minuar punën e gjykatës janë spekulime.

“Së pari, nuk kishte asnjë provë para Gjyqtarit që Z. Thaçi, qoftë drejtpërdrejt ose indirekt, ka ndikuar në dëshmitarë, ose është përpjekur të ndikojë në dëshmitarë, në kundërshtim me Neni 41 (6) (b) (ii). Kjo sepse asnjë nuk ekziston. Në vend të kësaj, PTJ përsëri gabimisht u mbështet në “pozicionet e kaluara dhe me ndikim të kohëve të fundit të z. Thaçi” për të konkluduar se kjo “mund të shkaktojë mobilizimin e një rrjeti të gjerë mbështetësish ”me qëllim të pengimit të procedurave. Ky është spekulim i pastër. PTJ supozoi se rreziku i mobilizimit ishte veçanërisht për shkak të fazës aktuale në procedurat ku është z. Thaçi në mënyrë progresive është i informuar për provat kundër tij. Ky arsyetim, siç dëshmohet nga mbështetja e vazhdueshme në “maj”, është e gabuar. Asnjë “bazë konkrete” nuk u identifikua të cilat në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme e lidhin z. Thaçi me “mobilizimin e një rrjeti të gjerë” të palëve të treta të palidhura dhe të paidentifikuara qëllimi i të cilave është t’i pengojë këto procedura. Mungesa e ndonjë “baze konkrete”, d.m.th., prova, për ta mbështetur këtë elementi i vlerësimit të PTJ-së për kriteret e nenit 41 (6) (b) (ii) përbën një gabim ligjor”, thotë avokati i ish-presidentit.

Avokati Hooper në fund të parashtresave të tij thotë se Gjyqtari i Procedurës Paraprake as që i ka marrë në konsideratë kushtet e propozuara nga mbrojtja e Thaçit për lirimin e këtij të fundit, e të cilat kanë të bëjnë me arrestin shtëpiak, ku ai do të kishte qasje të kufizuar në internet, apo s’do të kishte qasje fare, pastaj përdorimi i kufizuar i telefonit, me regjistër të thirrjeve që do t’i përcillej gjithnjë gjykatës.

Për këto dhe arsye tjera, avokati Hooper ka kërkuar që kërkesa në fjalë të pranohet dhe Thaçit t’i garantohet lirimi i përkohshëm.

Një vendim nga Dhomat e Apelit të përbëra nga tre gjyqtarë pritet të mirret ditëve në vijim.

Kush janë gjyqtarët e Apelit që do të merren me çështjen e Apelit të ish-krerëve të UÇK-së?

Kai Ambos nga Gjermania ka qenë kreu i katedrës për të drejtën penale ndërkombëtare dhe profesor i të drejtës penale, procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen) në Gjermani që nga maji 2003.

Më 2013, ai u emërua drejtor i Qendrës Studimore për Të drejtën dhe Procedurën Penale të Amerikës Latine (CEDPAL) në Universitetin e Gëtingenit. Gjithashtu ai ka punuar si avokat i mbrojtjes dhe konsulent në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Që nga marsi 2006, gjykatësi Ambos ka punuar si gjykatës i përkohshëm në Gjykatën Provinciale të Saksonisë së Poshtme në Gëtingen prej së cilës u delegua në Gjykatën e Apelit të Braunshvajgut (Braunschëeig) për vitin 2015.

Gjykatësi Ambos ka kryer studimet për jurisprudencë dhe shkenca politike në universitetin e Frajburgut në Brajzgau (Freiburg im Breisgau) në Gjermani, dhe në atë të Oksfordit (Britani e Madhe), e Mynihut (Gjermani).

Më 1990 kaloi provimin e parë shtetëror dhe më 1994 provimin e dytë shtetëror që i mundësoi ushtrimin e profesionit të avokatit. Më 1992, gjykatësi Ambos u doktorua dhe më 2001 fitoi aftësimin profesional si ligjërues universitar (të dyja nga Universiteti i Mynihut). Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare.

Nina H. B. Jorgensen nga Norvegjia është profesore e të drejtës publike ndërkombëtare në Universitetin e Southamptonit që nga viti 2019 dhe punon si zëvendësdekane e Fakultetit Juridik (hulumtim).

Para kësaj ajo ka qenë profesore e të drejtës (2014-2018) dhe ndihmësprofesore e të drejtës (2010-2014) në Universitetin Kinez të Hong Kongut. Nga viti 2001 deri 2010, ajo ka punuar në detyra të ndryshme në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen, ndër të cilat edhe si juriste e lartë për apelet dhe këshilltare e lartë juridike për Zyrën e Prokurorit, si dhe në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatën e Kamboxhias, dhe në Tribunalët Penalë Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën.

Ajo gjithashtu ka punuar për Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut në Varshavë si këshilltare juridike për Tolerancë dhe Mosdiskriminim. Ajo gjithashtu ka këshilluar OKB-në dhe organizatat joqeveritare për çështje të lidhura me të drejtën penale ndërkombëtare. Gjykatëse Jorgensen ka gradën doktor i shkencave prej Universitetit të Oksfordit dhe është diplomuar në Universitetin e Bristolit (MB). Ajo është pranuar në Shoqatën e Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (Gray’s Inn) në vitin 1999 dhe e ka licencën si avokat. Ajo ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare dhe të drejtës procedurale procedurave.

Michel Picard nga Franca është gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris që prej qershorit 2013. Nga 2008 deri më 2013, ajo ishte gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Nga 2007 deri më 2008, u emërua anëtare e Panelit Këshillues për Të drejtat e Njeriut në Kosovë dhe gjatë periudhës 1996-2003 ajo kryesoi Dhomën për Të drejtat e Njeriut në Bosnjë-Hercegovinë.

Më 2005, ajo u emërua eksperte e pavarur për Gjendjen e Të drejtave të Njeriut në Uzbekistan.

Ajo gjithashtu punoi për Këshillin e Evropës si eksperte për projekte të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Gjykatësja Pikar është e diplomuar si juriste nga Universiteti i Parisit. Më 1992, ajo kreu shkollën për gjykatës në Bordo (Bordeaux).

Ndryshe, konferenca e tretë statutore mbi ecurinë e çështjes në rastin e Thaçit, Veselit e të tjerëve do të mbahet të martën e javës së ardhshme.