S’kanë shkuar në punë asnjë ditë që nga viti 2016, MINT vazhdon t’i paguajë 25 punonjësit e komunitetit serb

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, ka vazhduar që të paguajë 25 punonjës të komunitetit serb, edhe pse të njëjtit nuk kanë punuar as edhe një ditë në këtë ministri.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për MINT, gjatë vitit 2022 janë shpenzuar 127 mijë e 298 euro për pagat e tyre.

“Me vendimin nr. 06/39 te datës 22.07.2015, Qeveria e Kosovës ka aprovuar konkluzionet e dakorduar të Marrëveshjes se Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për integrimin e personelit nga ish e ashtuquajtura “Mbrojta Civile”. Përmes këtij vendimi, MTI kishte angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kishin punuar asnjëherë për MTI që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemërimet a tyre. Rrjedhimisht, sipas konfirmimeve nga zyrtarët relevant, për të njejtit nuk kishte dëshmi të vijueshmërisë në punë. Shpenzimi për vitin 2022 për pagat e të punësuarve për këtë kategori ishte 127,298€”, thuhet në raport, transmeton express.

ZKA ka tërhequr vërejtjen se kjo dukuri po vazhdon qe disa vite, dhe pse është raportuar në vazhdimësi nëpër raportet e auditimit.

“Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse është raportuar në vazhdimësi nga Raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmarrë masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve.”

Sipas Auditorit, pagesat e punonjësve në mungesë të dëshmive për vijueshmëri në punë dhe në mungesë të angazhimit për kryerjen e detyrave zyrtare, konsiderohen si pagesa të parregullta dhe dëmtojnë buxhetin e ministrisë.

Në fund, është dhënë edhe një rekomandim për Ministren Hajdari.

“Ministrja duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar kushte pune dhe vijueshmërinë e rregullt në punë të punonjëve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”, thuhet në raport.

Ndryshe, Neni 8 i Rregullores (QRK) Nr.12/2020 Për Orarin e Punës dhe Pushimet e Zyrtarëve”, përcakton se “Gjatë orarit të punës të gjithë zyrtarët publik janë të obliguar të jenë në vendin e punës. Çdo zyrtar publik shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik“./Fokusi.info/