Vogëlushët kosovarë sigurojnë trofe dhe medalje të arta në Dubai

Gjashtë trofe të arta dhe gjashtë medalje të arta kanë fituar sot vogëlushët e Kosovës në garën ndërkombëtare “BrainoBrain” që po mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, njofton Klan Kosova.

“’Brainobrain’ është akademi botërore e fëmijëve me bazë në New Delhi dhe funksionon me mbi 950 qendra trajnimi në 45 shtete te botës”.

“Merret me zhvillimin e shkathtësive dhe aftësive të fëmijëve, zhvillimin e personalitetit, kreativitetit, aftësisë për udhëheqje, ngritje të vetëbesimit, rritje të koncentrimit, vizuelizimit dhe imagjinatës”.

“Ishte kënaqësi që të jam dëshmitar i një ngjarje aq të mirë. Krenar me këta vogëlushë të Kosovës që sot u bashkuan me karvanin e njerëzve më të suksesshëm që i sollën fitore Kosovës”.