Skema konspirative e takimit Shpendë-Isë sipas VV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka komentuar takimin e liderit të LDK-së, Isa Mustafa me kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti.

Sipas Aliut, takimi i djeshëm i Mustafës me Ahmetin i shpërfaqi dyftyrësinë partisë së ish-bashkëpartiakëve të tij, që tash janë në PSD.

“E mira e takimit të Isa Mustafës me Shpend Ahmetin është se do ta demaskojë edhe një herë dyfytyrësinë e atyre që dolën nga Lëvizja”, ka shkruar deputeti i VV-së.

Aliu pretendon se e di arsyen e takimit, duke thënë se PSD’ja e ka të nevojshme t’i bëjë presion kryeparlamentarit Kadri Veseli për kalimin e projektligjit për financim të partive.

“Këta, përmes takimit me Isa Mustafën i bëjnë presion Kadri Veselit që të kalojë ligjin për financimin e partive, që mundëson shndërrimin e parlamentit në pazar”, ka shkruar ai në Facebook.

“E pastaj, kur t’ua japë Kadri Veseli mbështetjen, këta do i thonë Isa Mustafës se nuk i japin dot votat për mocion, sepse po i jep Lista Serbe”, ka shtuar Aliu.

Sipas deputetit të VV’së, kjo është “strategji tanimë e lexueshme e njejtë si kjo e spektakleve të qeverisë që synon të mbulojë skandalet e hajnive”.