Skender Hyseni: S’mund të tregojmë çfarë folëm me Grenellin, kërkesa e VV-së – qesharake

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Skender Hyseni është shprehur se deri tash Vetëvendosja me çdo veprim ka treguar se nuk është e gatshme për një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Hyseni për Gazetën Express ka deklaruar se në mbledhjen e djeshme të kryesisë së LDK-së është shprehur se duhet të ndërtohet një besim dhe partneritet me VV-në. Sipas tij partia e Kurtit nuk po sillet si partner politik me partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova. Tutje ish-ministri i Brendshëm ka thënë se kërkesa e kreut të VV-së që LDK-ja të propozojë pesë emrat e ministrave është qesharake.

Zgjedhja e Glauk Konjufcës në postin e Kryetarit të Kuvendit më 26 dhjetor ka betonuar pozicionet e VV-së dhe LDK-së.

Dy partitë nuk kanë pasur më takime në nivelin e liderëve, duke shtyrë edhe më tej marrëveshjen për një koalicion të mundshëm.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, u shpreh se qëndrimi i partisë të cilës i takon është të bëjë përpjekje për një koalicion me VV-në në partneritet të plotë.

“Është qëndrim i fuqishëm i LDK-së që të bëjë përpjekje që koalicioni me VV-në të ndodhë duke e ndërtuar një qeveri me pushtet të balancuar. Unë insistoj në partnerit të plotë mes LDK-së dhe VV-së, pa partneritet të plotë është vështirë të funksionojë”, u shpreh Hyseni.

“LDK-ja është e gatshme, mbetet të shihet nëse Vetëvendosja është e gatshme. Deri tash me çdo veprim ka treguar se nuk është e gatshme”.

Ai tha se kryesia e partisë ka vendosur që ai së bashku me Agim Veliun dhe Avdullah Hotin ta takojnë përfaqësuesin special të Presidentit Trump për dialogun.

“Kryesia e LDK-së vendosë dhe përcakton se kush nga zyrtarët e saj shkon në takime”, tha Hyseni.

I pyetur se për çfarë kanë biseduar në takimin e fundit me ambasadorin Grenell në Berlin, Hyseni u shpreh se nuk mund të bëhet publike përmbajtja e bisedës.

“Nuk bëhet publike përmbajtja e bisedave që zhvillohen në nivele të tilla, dhe ajo që ka mundur të bëhet publike është në komunikatën zyrtare të LDK-së”, tha ai.

Ish-Ministri i Brendshëm, ka thënë për Express se 26 dhjetori ka ndryshuar tërësisht situatën.

“LDK-ja është parti e përgjegjshme, por nuk ka fituar zgjedhjet dhe partia që duhet ta marrë rolin prijës është Lëvizja Vetëvendosje dhe ata duhet të gjejnë mënyrën më efikase që të ndërtojmë institucione të qëndrueshme”, u shpreh ai.

I pyetur nëse Vetëvendosja është duke u sjellur si partner politik me LDK-në, Hyseni tha se me çdo veprim e kanë dëshmuar të kundërtën.

“Absolutisht jo, me çdo veprim kanë dëshmuar të kundërtën kanë dëshmuar një prirje egocentrike për të imponuar zgjidhje dhe për ta vënë LDK-në para aktit të kryer. LDK-ja është parti e pjekur dhe është partia më e vjetër në Evropën Juglindore dhe nuk do ta lejojë një gjë të tillë, jo për shkak të interesave të ngushta partiake aq më pak më për interesa të individëve siç po përpiqen disa filozofë në media me e prezentu por për shkak të funksionimit të mirëfilltë të institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Skender Hyseni tha se në mbledhjen e djeshme të kryesisë së LDK-së është shprehur se duhet të ndërtohet besim dhe partneritet me VV-në.

“Në mbledhje të kryesisë kam thënë që duhet të ndërtohet besim dhe partneritet me VV-në dhe unë jam optimist i papërmirësueshëm”, tha Hyseni.

Tutje, anëtari i kryesisë së LDK-së komentoi edhe kërkesën e Albin Kurtit drejtuar LDK-së për të propozuar emrat e pesë ministrave.

“Si mund të kërkosh nga LDK-ja emrat e ministrave pa arritur marrëveshje, është njësoj sikur të fillosh të ndërtosh shtëpinë nga kulmi e jo nga themeli”

Hyseni veprimin e djeshëm të mandatarit për Kryeministër e ka quajtuar qesharak dhe të papërgjegjshëm.

“Veprimi i djeshëm i zotit Kurti përpos që është qesharak, unë e përceptoj edhe si ikje ashiqare nga përgjegjësia”, u shpreh ai.

Hyseni tha se Kurti nuk është mirë të bëjë video karikaturale për ta hedhur fajin aty ku nuk ka faj.

“Kjo është shenjë që zoti Kurti nuk e ka me gjithë mend formimin e Qeverisë, por po bën lojëra të ndërmjeme sikur me qenë në fushatë për zgjedhje të reja të cilat si duket VV-ja i don me shumë zemër, mirëpo nuk ka gjë të keqe është politikisht korrekte me thënë po shkojmë në zgjedhje të reja nuk ka asnjë problem, por jo të bësh manovrime publike me disa video karikaturale duke u përpjekur me hedh faj atje ku nuk ka faj”, tha ai.

Anëtari i kryesisë së LDK-së, tha se nuk ka informata nëse sot do të takohen Mustafa e Kurti por që kryetari i LDK-së është i gatshëm të takohet me kryetarin e VV-së kurdo që ky i fundit e fton.

“Nuk e di nëse do të ketë takim sot mes kryetarit Mustafa dhe kryetarit të VV-së nuk e kam këtë informacion ajo që mund të them është se kryetari Mustafa është i gatshëm të takohet me zoti Kurtin në çfarëdo kohe që ai e fton. LDK-ja nuk ik nga tavolina asnjëherë, nuk ik nga bisedat në përpjekje për të gjetur zgjidhjen më të mirë”, tha ai.

Duke komentuar konstituimin e Kuvendit, Hyseni tha se VV-ja qëllimisht e ka prezantuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit për ta vënë LDK-në para aktit të kryer.

“VV-ja me veprime të njëanshme, e ka prezantuar një kandidat për Kryetar të Kuvendit, LDK-ja e ka votuar sepse LDK-ja asnjëherë nuk do të dalë kundër konstituimit të institucioneve të Kosovës, LDK-ja është e vetmja parti institucionaliste dhe ky veprim është bërë qëllimisht nga Vetëvendosja dhe e ka vënë LDK-në para aktit të kryer”,

Hyseni u shpreh se “nuk bëhen veprime të tilla me dikënd që synon të ndërtosh partneritet, megjithatë jemi të bindur se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet që të zgjidhet ky ngërç për themelimin e institucioneve sepse këtë ua kemi borxh qytetarëve të Kosovës”.