Sondazh nga Pyper: A janë qytetarët për koalicionin LVV-LDK, kë e shohin ata si fajtor dhe sa janë për zgjedhje të reja

Edhe pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, dy partitë më të votuara në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk kanë arritur marrëveshje për krijimin e qeverisë.

Sipas një sondazhi të realizuar nga Pyper, më pak se gjysma e pjesëmarrësve të sondazhit (43.92%) e konsiderojnë mosarritjen e marrëveshjes LVV-LDK si të paarsyeshme, ndërkaq një përqindje më e vogël (38.03%) e konsiderojnë këtë të arsyeshme.

Sipas të të dhënave të sondazhit të Pyper, përgjegjësi kryesor që qëndron pas kësaj mosmarrëveshje konsiderohet LDK-ja (46.73%).

Pothuajse gjysma e pjesëmarrësve besojnë se arsyeja kryesore që ka shkaktuar mosmarrëveshjen LVV-LDK ka pasur të bëjë me postin e presidentit (46.89%). Mirëpo ekzistojnë edhe pohime të tjera mbi arsyet e mos-marrëveshjes siç janë rivaliteti politik mes këtyre partive (20.13%), mospajtimi rreth programit qeverisës (15%), numrit të ministrive (13.67%) etj.

“Mirëpo, sa i përket qëndrimeve të pjesëmarrësve ndaj të dy partive, vërehet dukshëm një mbështetje më e madhe ndaj qëndrimit të LVV-së ndaj kërkesave të LDK-së (60.34%) sesa e kundërta e kësaj (34.05%)”, thuhet në njoftim.

Në rast se LVV-LDK nuk arrijnë një marrëveshje në vazhdim, partia që do të dëmtohet më së shumti sipas pjesëmarrësve do të jetë LDK-ja (37.78%) duke u pasuar më pas nga LVV-ja (19.55%). Disa po ashtu e shohin këtë mosmarrëveshje si të dëmshme për të dy partitë (22.62%), thuhet më tej.

Sidoqoftë, përkundër zhvillimeve të fundit, pra mosarritjes së një marrëveshje, disa pjesëmarrës (35.87%) janë optimist se do të arrihet një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së. Ndërkaq 29.16% shprehen pesimist lidhur me një marrëveshje të tillë.

Sido që të jetë, përkundër këtyre perceptimeve, në rast se një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së nuk mund të arrihet, më pak se gjysma e pjesëmarrësve preferojnë që vendi të shkoj në zgjedhje të reja (43.03%). Një numër më i vogël i tyre (20.23%) përkrahin idenë se LVV-ja duhet ta braktisë LDK-në dhe të krijoj marrëveshje me parti tjera politike siç është PDK-ja (41.8%), koalicioni AAK-PSD (35.25%), koalicioni NISMA-AKR-PD (34.84%) etj.