Sot u realizuan 4 fluturime nga aeroporti i Prishtinës (video)

Po shpejtojnë hapat. Kjo për shkak që duhet me kohë të dorëzojnë pasaportat e pastaj të realizojnë fluturimet për në vendet jashtë Kosovës.

Dhjetëra qytetarë, të shtunën u drejtuan për në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Këtu gjatë ditës u realizuan 4 fluturime në total.

Një fluturim u realizua pasdite me destinacion Duseldorfin e Gjermanisë e tjetri Baselin e Zvicrrës.

Disa nga qytetarët, thonë se po udhëtojnë me shpresën që do të rifillojnë punën që e kanë ndërprerë për shkak të situatës me Covid 19.

Madje pati edhe të tillë që në Kosovë kanë qëndruar në karantinë për 14 ditë.

Shumë të tjerë shprehen të lumtur që pas disa muajsh mund t’iu bashkohen familjeve të tyre në shtetet jashtë Kosovës.

Brenda hapësirave të aeroportit gjithçka është gati që t’u verifikohen dokumentet atyre që po udhëtojnë prej këtu.

Ramush Hajdini i cili prej më shumë se 40 vitesh jeton në Zvicër, thotë se për shkak të pandemisë iu anulua bileta e kthimit për atje para disa javësh.

Por, në gjithë këto organizime fluturimesh nuk u pa që qytetarët të respektojnë shumë masat kundër përhapjes së virusit. Ata u panë pa maska, dorëza dhe pa u kujdesur për distancën.

Ndërkohë, derisa të tjerë po shkojnë, afër 300 kosovarë u kthyen të shtunën. Një fluturim nga Frankfurti me udhëtarë kryesisht nga SHBA-të, dhe një fluturim tjetër nga Baseli i Zvicrës.

Paraprakisht, janë familjarë të të kthyerve që po mbajnë dokumente që dëshmojnë gjendjen shëndetësore të të afërmeve, si kriter për lirim nga karantina.

E këtu siç parashihet me rregullore u liruan ata që përfshihen në disa kategori të caktuara.

Në këtë grup përfshihen edhe pjesëtarët e FSK-së.

E duket se për të inspektuar vetë procedurat për karantinim pasdite prezent ishte vetë ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia.

Ani pse nuk u deklarua, ai pohoi se ishte këtu për të mbikëqyrur situatën në aeroport.

Po ashtu, ata që u liruan për në shtëpi për vetëkarantim ishin kryesisht të moshuarit.

Po ashtu, personat të cilët dëshmuan me dokumente përkatëse se kanë probleme me shëndetin, u liruan për vetëizolim në shtëpi.

Të tjerët, me vendim të ministrisë u dërguan në Qendrën e Studentëve.