Specialja jep detaje për vizitën e Veselit, tregon se me kë e vizitoi varrin e nënës

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dhënë detaje rreth vizitës së ish kreut të kuvendit, Kadri Veseli, me rastin e vdekjes së nënës së tij.

Në raportin e Speciales thuhet se mbrojtja e Veselit ka kërkuar që vizita e tij në Kosovë të jetë tri-ditore por një gjë e tillë është hedhur poshtë.

Më tej, në raport bëhen të ditura detaje nga vizita e Veselit tek varri i nënës së tij, ku thuhet se ai aty ishte në shoqërinë e oficerëve përcjellës.

“Sekretaria i ofroi gjyqtarit të procedurës paraprake azhurnime të rregullta gjatë vizitës së paraburgimit, siç specifikohet në vendim. Z. Veseli është transferuar në një objekt të sigurt në Kosovë, ku ka qëndruar gjatë gjithë kohës në paraburgim dhe nën përcjellje. Z. Veseli vizitoi varrin e nënës së tij në shoqërinë e oficerëve përcjellës. Menjëherë pas kësaj, z. Veseli u transportua në [REDAKTUAR]. [RIDAKTUAR]”, thuhet në raportin e publikuar nga Specialja, transmeton Klankosova.tv.

Në vazhdim, raporti i publikuar bën të ditur se ish kreu i PDK-së ka vizituar dy grupe të vogla të vizitorëve të autorizuar, ku secili ishte i përbërë nga katër anëtarë të familjes së ngushtë.

“Z. Veseli ka vizituar grupin e parë dy herë, para dhe pas vizitës me të dytin grup. Gjatë vizitës së tij me grupin e dytë, një anëtar i afërt i familjes u largua nga [REDAKTUAR] dhe një i afërm i autorizuar i shkallës së dytë u lejua të hynte [REDAKTUAR] dhe t’i bashkohej grupit të dytë”, thuhet në raportin e Speciales, përcjell Klankosova.tv.

Kujtojmë se nëna e Kadri Veselit, Ajshe Veselit, ka vdekur më 7 janar të këtij viti, ndërsa 7 muaj më parë, atij i ka vdekur edhe babai.