Stano tregon se a do të ketë takim të enjten në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiqit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se të enjten në Bruksel nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Stano në konferencë për media, ka thënë se të enjten në Bruksel do të jenë Kurti e Vuçiq, por do të kenë takime individuale me liderë të caktuar të BE-së, transmeton FrontOnline.

Stano ka thënë se përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, do të njoftojë liderët në Këshill Evropian për situatën në dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se kjo është çështje shumë me rëndësi për BE-në.

“Takimet e planifikuara janë vazhdimësi e vizitës së emisarit Lajçak në Prishtinë dhe Beograd gjatë fundjavës së kaluar, i cili ishte i shoqëruar nga këshilltarët e jashtëm dhe të sigurisë të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe emisarin e SHBA-së, Gabriel Escobar. Pra, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, janë ftuar në Bruksel për një seri të takimeve individuale me liderë të caktuar të BE-së. Në këtë fazë nuk do të futem në detaje logjistike, do t’i bëjmë të ditura më vonë. Por, ideja është të kemi takime në margjina të Këshillit Evropian”, ka deklaruar Stano në konferencën për media.