Stavileci: Me Kurtin kryeministër, punëtorët shëndetësorë në vend të mbështetjes, po marrin përçmim

Blerand Stavileci nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka reaguar lidhur me vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës që punëtorëve shëndetësorë t’u ndahen nga 60 euro.

Stavileci tha se me Kurtin kryeministër, punëtorët shëndetësorë në vend të mbështetjes që meritojnë, po marrin përçmim.

Sipas tij vendimi i fundit për ta është fyerje e madhe si për mjekët edhe për infermierët, të cilët tash e dy vite po e kryejnë detyrën me përgjegjësi të lartë, për të shpëtuar jetën e qytetarëve në luftë me virusin COVID-19.

Ai shtoi gjithashtu se shifrat alarmante të të vdekurve në javën e fundit si dhe numrat në rritje të të infektuarve flasin qartë për paaftësinë e Qeverisë Kurti për të menaxhuar pandeminë e për të qeverisur vendin.

Postimi i plotë:

Me Albin Kurtin Kryeministër, punëtorët shëndetësorë, në vend të mbështetjes që meritojnë, po marrin përçmim. Sepse, vendimi i Qeverisë për t’ua ndarë atyre nga 60 euro, si shtesa për tre muaj, është fyerje e madhe për mjekët dhe infermierët – të cilët, tash e dy vjet, në kushte të vështira, po e kryejnë detyrën me përgjegjësi të lartë për të shpëtuar jetën e qytetarëve në luftë me Covid-19. Derisa krerët e shtetit kanë shëtitur në Greqi, Cannes e Turqi, personeli shëndetësor është përballur me një gjendje çdo ditë e më të rënduar. Shifrat alarmante të të vdekurve në javën e fundit, numrat gjithnjë në rritje të të infektuarve, vaksinimi kaotik e i ngadalshëm, si dhe mungesa e investimeve nëpër spitale, flasin qartë për paaftësinë e Qeverisë Kurti për ta menaxhuar pandeminë dhe për ta qeverisur vendin. Ky vendim duhet të rishikohet menjëherë dhe pagesa shtesë duhet të kthehet në 300 euro, ashtu sikurse duhet rritur edhe kohëzgjatja e dhënies së saj.