Suspendohen dy zyrtarët policorë që shqiptuan dënim bazuar në ligjet e Serbisë

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë se si më datën 4 janar 2021, F.TH (emër i njohur për redaksinë) nga Komuna e Lipjanit, mori një dënim të pazakontë, jo për shkak të kundërvajtjes që pretendohet se e ka kryer, por për shkak të vendimit mbi të cilin bazohej gjoba e shqiptuar nga Policia.

Lidhur me këtë rast Sinjali mëson se qytetari kishte njoftuar IPK dhe IPK ka kërkuar suspendim nga puna për dy zyrtarët policorë deri në përfundim të hetimit lidhur me këtë çështje.

Sinjali mëson se qytetari është dënuar nga zyrtarët policorë të Novobërdës për mosbartje të maskës derisa ishte në veturë me një person tjetër.

Të njëjtit zyrtarë policorë, të nacionalitetit serbë kishin konstatuar se qytetari nuk i kishte respektuar udhëzimet e Qeverisë së Serbisë për mosbartje të maskës.

Kjo gjë ishte evidentuar në fletëparaqitje për kundërvajtje në trafik, në dokumentin zyrtar të lëshuar nga organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme.