Sveçla e Vitia do të qëndrojnë në Kroaci, Kurti e Schwarz kthehen në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz dhe Blerim Vela nga Presidenca janë kthyer në Kosovë pasi qëndruan mbrëmë në Kroaci pas aksidentit tragjik ku vdiqën 10 kosovarë.

Kështu sqaron Qeveria e Kosovës në një komunikatë për media.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela, janë kthyer nga Kroacia, ku mbrëmë kanë vizituar bashkatdhetarët e lënduar në aksidentin tragjik, të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.”, thotë komunikata.

Më tutje, në këtë komunikatë thuhet se në Kroaci do të qëndrojë ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe ai i Shëndetësisë Arben Vitia për koordinimin e veprimeve.

“Në Kroaci vazhdojnë të qëndrojnë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia për të koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.”, thotë komunikata.