Sveçla: Kryetarët e komunave në veri do të shkojnë në vendin e punës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se do t’u përgjigjen të gjitha kërcënimeve që vijnë nga Serbia dhe grupet kriminale të Millan Rodojiçiqit pas zgjedhjeve të së dielës në komunat veriore. Sveçla tha se kryetarët e rinj do të shkojnë në punë dhe nuk do të mund t’i pengojë askush.

“Prej momentit që rezultatet certifikohen ata janë kryetarë legjitim komunash dhe patjetër do të shkojnë në vendin e tyre të punës, patjetër do të udhëheqin me ato komuna dhe patjetër do të kenë sukseset por edhe dështimet, sikurse i ka secila udhëheqje komunale gjithandej Kosovës dhe nuk e di pse kjo është e diskutueshme”, ka theksuar Sveçla.

I pyetur nëse kryetarët shqiptarë, të zgjedhur të dielën, për të udhëhequr me komunat veriore që janë të banuara me shumicë serbe, do ta kenë asistencën e policisë për të shkuar në vendin e tyre të punës, ministri ka thënë se policia gjithmonë ka asistuar kudo që ka pasur telashe, madje edhe në rastet me probleme të vogla.

“Absolutisht, forcat e sigurisë janë aty për të siguruar secilin qytetar e posaçërisht institucionet e Republikës së Kosovës. Çfarë ka aty të jashtëzakonshme. Sa herë që kryetarët e komunave kanë pasur problem policia e Kosovës ka qenë në dispozicion të tyre. Edhe për probleme shumë të vogla, edhe për tezga në rrugë policia e Kosovës është kujdes që institucionet komunale të kenë mbështetjen e saj, e mos të flasim për kryetarët e komunave apo drejtorët komunal”, ka nënvizuar ministri i Punëve të Brendshme në emisionin RTK Prime.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës më shumë se kurrë dhe më mirë se kurrë është duke e bërë punën e saj në veri. “…andaj edhe kemi mungesë të incidenteve të mëhershme dhe kemi ndjenjë të rritur të sigurisë atje, por edhe kemi rezultate”, ka shtuar Sveçla.

Ai ka thënë se tani rezistenca në veri ka kaluar nga ajo qytetare në rezistencë kriminale. “Jemi dëshmitarë se si qytetarët tanë të etnisë serbe kanë refuzuar në masë të madhe të dalin në barrikada. Më herët kanë qenë gra, burra e fëmijë në barrikada, derisa në barrikadat e fundit ka pasur vetëm struktura të paguara. D.m.th. kemi kaluar prej rezistencës qytetare në rezistencë kriminale”, është shprehur Sveçla.

Sveçla: Nuk i tolerojmë kërcënimet e Serbisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se do t’u përgjigjen të gjitha kërcënimeve që vinë nga Serbia dhe grupeve kriminale të Milan Rodojçiqit pas zgjedhjeve të së dielës në komunat veriore. Në emisionin “RTK Prime”, Sveçla tha se kryetarët e rinj do të shkojnë në punë dhe nuk do të mund t’i pengojë askush. Ai deklaroi se Serbia ka një dorë të zgjatur në mënyrë kriminale ndaj shtetasve serb të Kosovës.

Sveçla: Vuçiqi kërcënoi serbët e veriut me lista për arrestime

Kreu i MPB-së, Sveçla tha se kërcënimi dhe shantazhi i Serbisë ka shkuar deri në atë shkallë sa që presidenti i Serbisë kishte deklaruar se ka një listë më serbët cilët do të arrestoheshin posa që kalojnë në Serbi. Sipas tij, kjo për qytetarë të zakonshëm është e rendë, sepse Vuçiqi i cilësonte si tradhtarë ata që do të dilnin të votonin të dielën. Sveçla tha se Serbia ka bërë një “fitore” kriminale të dielën duke ndërhyrë në zgjedhje me kërcënime dhe shantazhe.

Sveçla: I kemi identifikuar ata që i raportonin Serbisë të dielën

Ministri Sveçla tha se ditën e diel afër qendrave të votimit kishte njerëz që vëzhgonin procesin dhe shikonin nëse ndonjë serb do të dilte për të votuar. Sipas tij, këta persona tashmë janë të njohur për organet e rendit të cilët shumë shpejt do të dalin para drejtësisë. Sveçla tha se persona të tillë ishin aty për të identifikuar votues potencial dhe t’i raportonin Serbisë për ta.

Asnjë ish-polic që ka zhveshur uniformën s’mund të kthehet në polici

Ministri Sveçla ka deklaruar se ata ish-policë që kohë më parë i zhveshën uniformat e policisë së shtetit të Kosovës në veri, nuk do të mund të kthehen më në polici. Sipas tij, ndonjë që është nën moshën 30 vjeç dhe nuk ka të kaluar kriminale mund të jetë pjesë e konkurseve për polic, por në asnjë mënyrë ata që kanë të kaluar kriminale.

Sveçla: Kam dyshime për arrestimin e shefit të KEK-ut

Ministri Sveçla ishte kritik ndaj segmenteve të prokurorisë duke thënë se ka dyshime për rastin e arrestimit të ish-shefit të KEK-ut. “Qasja desktuktive e segmenteve të caktuara të Prokurorisë më bëjnë të kem dyshime në këtë rast”, tha Sveçla, sipas të cilit, e vjetra po mundohet ta sundojë të renë, dhe kjo tha ai nuk ka kuptim.