Sveçla nga Brukseli: KE rikonfirmon se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është takuar sot në Bruksel me komisioneren evropiane për Punë të Brendshme, Ylva Johansson, të cilën e ka falënderuar për rikonfirmimin e Komisionit Evropian se Kosova ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët e saj.

“Kisha kënaqësinë që të takoj në Bruksel komisioneren evropiane për Punë të Brendshme, Ylva Johansson. Shpreha falënderimin tonë për rikonfirmimin e Komisionit Evropian se Republika e Kosovës ka plotësuar në tërësi kriteret për lëvizjen e lirë për qytetarët tanë. Komisionerja e BE për Punë të Brendshme, Johansson, ka rikonfirmuar që Komisioni qëndron prapa vlerësimit të tij dhe se puna vazhdon tutje në kuadër të procesit ekzistues deri në kompletimin e liberalizimit të vizave”.

Sveçla, mes tjerash, i tha Johanssonit se lufta ndaj krimit dhe korrupsionit mbetet prioritet i institucioneve kosovare.

“Biseduam mbi arritjet e qeverisë sonë nga hera e fundit kur jam takuar virtualisht me znj. Johansson. Lufta ndaj krimit, korrupsionit, trafiqeve të ndryshme dhe të gjitha veprimtarive ilegale mbetet prioritet i yni andaj në këtë kuptim kam shprehur gatishmërinë tonë për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shtetet aleate për krijimin e stabilitetit në vendin tonë dhe më gjerë,” ka shkruar Sveçla në Facebook.