Tahiri: Asamblisti i VV-së po pengon punësimin e 60 grave në Stanoc të Epërm, falsifikuan edhe nënshkrime

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri po akuzon asamblistin e Vetëvendosjes në këtë komunë, Ymer Haradinaj lidhur me pengimin e krijimit 60 vendeve të reja të punës për gratë në Stanoc.

Tahiri thotë edhe se janë falsifikuar nënshkrimet, numrat personal të banorëve të fshatit Stanoc të Epërm për të ndalur projektin për hapjen e një fabrike që është rrobaqepësi e ku investitori ka paraparë që të punësojë 60 gra të Stanocit.

Çështjen e falsifikimit për të cilat pretendohet, Tahiri thotë se do t’i dërgojnë në organet e drejtësisë. Megjithëse ai thekson se projekti për punësimin e grave të Stanocit të Epërm nuk do të ndalet dhe se do të kërkoj nga organet kuvendare që të përkrahin këtë projekt. Këto komente Tahiri i bëri në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

“Arsyeja e kësaj konference të jashtëzakonshme ka të bëjë me adresimin e pengimit të punësimit të mbi 60 grave në Stanoc të Epërm nga përfaqësues politik të Lëvizjes Vetëvendosjes të organizuar nga asamblisti i VV-së Imer Haradinaj. Objekti i vjetër i shkollës “Migjeni” në Stanoc të Epërm në bazë të vlerësimit të Komisionit Komunal dhe kërkesës së investitorit Vitex Sh.P.K është dhënë në shfrytëzim afatshkurtër një vjeçar me mundësi vazhdimi me qëllim punësimin e mbi 60 grave. Sipas projektit të investitorit të prezantuar në Komunë, në këtë objekt q ë dikur ka qenë shkollë do të punësohen mbi 60 gra në një punëtori ose fabrikë që është rrobaqepësie dhe i tërë prodhimi i kësaj është i destinuar për eksport jashtë Kosove. Punësimi në këtë fabrikë tekstili do të bëhet kryesisht për gratë e Stanocit dhe rrethinës së Stanocit të cilat kanë nevojë të madhe për punë në mënyrë që të jenë të pavarura dhe të shkollojnë fëmijët e tyre. Paga mesatare në këtë punëtori ose fabrikë tekstili do të jetë nga 300 deri në 500 euro sipas propozimit që investitori e ka sjellë në Komunën e Vushtrrisë”, tha Tahiri.

Tahiri tregoi se pse është zgjedhur objekti i vjetër i shkollës “Migjeni” në fshatin Stanoc të Epërm për t’u bërë punëtori. Ndërsa i pari i Komunës së Vushtrrisë, tha edhe se është bërë organizim për të dalë kundër këtij projekti.

“Arsyeja pse si komunë jemi përcaktuar në atë lokacion është, numri i madh i grave të papunëve në Stanoc të Epërm dhe rrethinë d për faktin se Stanoci i Epërm bashkë me Stanocin e Poshtëm, bashkë me lumin e madh përbejnë bashkësinë lokale më të madhe të Komunën e Vushtrrisë. Synimi i komunës është që këto vende të punës të jenë sa më afër grave në këtë lokalitet. Vitin më të rëndë ekonomik e shëndetësor të shkaktuar nga koronavirus[…]Hapja e mbi 60 vendeve të punës për gra është lajm i mirë për Vushtrrinë, Stanocin dhe secilën grua. Por ky asamblist i VV në kuvend të Komunës, kryetar i fshatit i ka organizuar militantët partiak dhe po e pengojnë mësimin e grave dhe sigurimin e të ardhurave për familjet e tyre”, deklaroi Tahiri.

Tahiri ka prezantuar dokumente për të cilat thotë se pati falsifikime në nënshkrime dhe numra personal.

“Në Komunën e Vushtrrisë kemi një peticion nga ky asamblisti i VV-së kundër hapjes së vendeve të punës dhe një peticion tjetër që është duke u nënshkruar nga qytetarët që e mbështesin hapjen e kësaj fabrike dhe hapjen e vendeve të punës. Si komunë kemi dyshime se peticioni kundër vendeve të punës është i falsifikuar nga organizatori i tij, ku ne kemi vërejt një numër të rasteve të emrave të qytetarëve që nënshkrimet e tyre dhe numrat personal nuk përputhen. Po ashtu në komunë janë lajmëruar shumë qytetarë të cilët po dyshojnë që emrat e tyre janë shkruar në këtë peticion pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre. Ky është peticioni i dorëzuar në komunë nga organizatori i tij dhe që në fillim të këtij peticioni ne vërejmë nënshkrime të ngjashme në emër të banorëve të ndryshme të shkruara nga e njëjta dorë, nga e njëjta dorë dhe nga e njëjti laps kimik”, tha Tahiri.

Ai tha se këto dokumente që pretendohet të jenë të falsifikuara do t’i dërgojnë në organet kompetente dhe do të merren me këtë çështje. Madje ai tregon se ka takuar Haradinajn dhe banorët e të cilëve iu është thënë se objekti i shkollës i plotëson të gjitha nevojat.

“Kemi edhe raste të tjera të cilat ne i kemi vërejtur që është falsifikuar peticioni prandaj si komunë sot këtë peticion, këtë dokument të falsifikuar ku janë keqpërdoru të dhënat personale, numri personal dhe nënshkrimet e banorëve do ta dërgojmë në organet kompetente që të merren me falsifikuesit e këtij peticioni. Përkundër këtij peticioni dhe faktit që kemi pasur një organizim politik kundër këtyre vendeve të punës unë si kryetar kam takuar nënshkruesit e këtij peticioni bashkë me zotin Haradinaj dhe kërkojnë që objekti i vjetër i shkollës të shërbejë për qëllime edukative-arsimore, çerdhe, bibliotekë, muze sallë sporti e të tjera. E them çartë sot dhe garantoj para qytetarëve të Stanocit që objekti i ri i shkollës që e kemi ndërtuar me buxhetin e komunës së Vushtrrisë i plotëson nevojat edhe për çerdhe edhe për bibliotekë edhe për kënd leximi”, tha ai.

Sa i përket kërkesës që në fshatin Stanoc të Epërm të ketë muze, Tahiri tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet dhe se fillimisht duhet të shihet nëse ka buxhet. Megjithatë ai thekson se muzeu në fshatra është luks për t’ia ndaluar.

“Për sa i përket kërkesës që shkolla të bëhet muze, qyteti i Vushtrrisë është në kompletim të muzeut të qytetit, fillimisht duhet ta funksionalizojmë muzeun e qytetit që është shtëpia e Shaban Agës dhe pastaj të mendojmë se a kemi buxhet që të kemi muze nëpër fshatra[…]Ndoshta 5 përqind të grave të punësuar është luks me ia ndalu punësimin 60 grave se po dojna muze nga ata që kurrë nuk e kanë vizituar një muze në jetën e vet”, shprehet ai.

Ndërkohë që thotë se hyrja e punëtorisë është e ndarë nga shkolla.

Ndërkohë që të enjten, ai tha se do të debatojnë për peticionin kundër vendeve të punës.

“Nesër në Kuvendin e Vushtrrisë do të debatojmë për këtë peticion kundër vendeve të punës. Do të bisedojë me gjitha grupet kuvendare, dhe do t’i ftojë të gjithë që të dalin me qëndrim si kuvend pro projektit, pro vazhdimit të projektit të punësimit të grave në Stanvoc. Thirrja ime është mos e pengoni punësimin e grave, mos jepni mesazh të keq për investitorët që duan dhe po vijnë në qytetin e Vushtrrisë lejoni punësimin e grave të Stanocit, lejoni gratë të jenë të pavarura. Lejoni që ato të krijojnë të hyra për veten dhe familje e vet, lejoni zhvillimin familjeve të Stanocit. Mos e pengoni këtë projekt për qëllime politike[…]Komuna nuk tërhiqet nga ky projekt, secili që synon ta pengoj punësimin e 60 grave të Stanocit të Epërm do të ballafaqohet me fuqinë e ligjit”, përfundoi ai.