Tahiri: Dasma me 10 persona është hajgarja më e madhe që i bëhet gastronomëve nga Qeveria

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka reaguar pas masave masave anti- Covid 19, të miratuara sot në mbledhjen e Qeverisë

Tahiri ka shkruar në Facebook se këto masa për mbyllje do jenë hapje për qarkullim dhe biznes në rajon, ndërkaq shtoi se lejimi i dasmave për 10 persona është “hajgarja” më e madhe që i bëhet gastronomëve nga ana e Qeverise.

“Mbyllja e sotme është hapje dhe qarkullim e mundësi biznesi më shumë për Shkup, bregdetin shqiptar dhe atë malazez. Kurse, dasma për 10 persona është hajgarja më e madhe që i bëhet gastronomisë! Eksperimenti ka nisur”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës sot ka miratuar masat e reja anti-Covid.

Qytetarëve do të ju lejohet lëvizja e lirë nga ora 05:00 deri në orën 22:00, përveç rasteve të emergjencave shëndetësore.

Lokaleve të gastronomisë do të ju lejohet të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “shërbim me porosi” dhe “drive thru”.

Marketet, farmacitë dhe furrat do të lejohen ta zhvillojnë aktivitetin e tyre.

Institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin si deri më tani, ndërkaq edhe provimet mund të mbahen duke respektuar masat dhe distancën fizike dhe duke u ndarë në grupe nga 10 persona.

Konviktet dhe menzat do të pezullojnë aktivitetet nga data 7 deri më datën 18 prill.

Marketet e mbyllura ushqimore janë të obliguara të përcaktojnë numrin e konsumatorëve dhe të shënojnë numrin maksimal të lejuar brenda në të njëjtën kohë.