Tahiri i përgjigjet Kurtit: Reduktimi i ministrive është rregulluar me ligj nga qeveria Haradinaj

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, i është kundërpërgjigjur liderit të VV-së Albin Kurti, lidhur me reformën e funksionimin efikas të qeverisë.

Tahiri, ka thënë se kufizimi i numrit të Kabinetit të Kryeministrit, numrit të zëvendëskryeministrave, ministrave dhe zëvendësministrave i zotuar në deklarata është zgjidhje parciale.

“Projektligji për Qeverinë është zgjidhja e plotë e parimeve dhe kufizimeve të qeverisë, e kulmi i reformës në administratën publike. Mos të harrojmë, janë këta të njëjtit që për gati 10 vite nuk e miratuan pakon e refomës së administratës pubike, e madje as nuk e votuan kur ne e sollëm në Kuvend. Reformat bëhen me vullnet e guxim, jo me deklarata”, ka deklaruar ai, përmes një postimi të publikuar në profilin e tij në rrjetin shoqëror “Facebook”.

Besnik Tahiri ka qenë Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore në qeverinë Haradinaj.