Tahiri me kritika ndaj Kurtit: Erdhën në Qeveri krejt e drejt, shpresë e kiamet, pernime e boni kiamet

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka njoftuar se pas seancës së sotme të jashtëzakonshme ku do të debatohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Kuvendi do të mbajë seancë edhe të mërkurën për vazhdimin e pikave të rendit të ditës dhe një tjetër të enjten e thirrur nga Opozita, për menaxhimin e pandemisë.

Pas mbledhjes së Kryesisë, Tahiri kërkoi reflektim nga kryeministri Kurti dhe Qeveria në raport me shtrenjtimin e rrymës dhe tha se nuk ka asnjë temë më të rëndësishme se kjo.

Ai tutje u shpreh se vendimi i ZRrE-së është sulm i drejtpërdrejt ndaj qytetarëve me të hyra mesatare.

“Ju lutem për reflektim serioz për këtë temë. Ngritja ka qenë e madhe, energjia elektrike do të bëjë një ngritje zinxhirore të çmimeve. Klasa e mesme është goditur në formën më të pamëshirshme të mundshme me këto tarifa. Thirrja e fundit për Qeverinë është që të mos rritet çmimi i rrymës dhe mbi të gjitha të reflektojmë për gjendjen sociale në Kosovë, nuk është mirë për ata që janë në punë e lërë më për ata që janë social. Kemi ngritur këtë temë prej shtatorit. Jemi të gëzuar që e gjithë Opozita ka vendosur nënshkrime. Seanca e sotme nuk është kush kënd po e mund me fjalime, kë po e kritikon më shumë, një moment reflektimi i sinqertë i gjithë deputetëve me vendos gishtin në kokë në qoftë se ndodh ky shtrenjtim. Gjendja sociale dhe reagimi i qytetarëve do të vjen atë ditë kur vjen fatura e rrymës”.

Mes tjerash Tahiri pati edhe kritika për Kurtin, për të cilin tha se erdhi në pushtet duke premtuar se do të ulet çmimi i rrymës dhe i artikujve.

“Erdhën në Qeveri krejt e drejt, shpresë e kiamet, edhe perime boni kiamet me çmime kurrë pa ia nda prej çmimit të vajit 90 cent e tash 1.75. S’ke qare pa qenë sentimental për shkak se ky njeri ka ardhur në pushtet duke thënë ua uli çmimet, rryma është shtrenjtë, krejt hajna”, tha Tahiri.