Tahiri për takimin e Kurtit në Bruksel: Humbën temat kombëtare dhe nisi loja e fjalëve

Besnik Tahiri nga AAK, ka kritikuar paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel në takimin me delegacionin serb, përfshirë edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai ka thënë se Kurti nuk ka përmendur asnjë temë për të cilat kishte premtuar paraprakisht.

“Humbën temat kombëtare dhe nisi loja e fjalëve CEFTA-SEFTA, e cila është një Mini-shengen. Pse për këtë takim nuk u kërkua njohje nga Serbia, Kurti nuk foli për marrëveshjen reciproke, por i përmendi katër pika…”, ka thënë Tahiri në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, transmeton lajmi.net.

Tahiri ka kërkuar gjithashtu nga Ministria e Financave që të falen borxhet publike, pasi që kjo ka qenë kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje sa ka qenë në opozitë.

“Këtu kemi edhe ministren e cila ka qenë deputete, ku saktësisht në korrik të vitit 2015 kur keni kërkuar faljen e borxheve publike, e tash si ndodhi që ndryshoi e gjithë bota kur ju u bëtë ministre”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se Kurti gjithashtu duhet që sa më shpejt të vijë të raportojë në Kuvend për takimin në Bruksel.