Tahiri: Projektligji për Zyrtarët Publikë në esencë është kapje e shtetit

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri theksoi se Ligji për Zyrtarët publikë nuk duhet të kalojë. Sipas tij, ky ligj e dëmton funksionin e shërbimit civil, pasi siç tha ai, ia merr mandatin 1600 njerëzve.

Tutje, ai theksoi se AAK-ja do të bëjë disa amendamente që të largohet neni, që sipas tij, në esencë është “kapje e shtetit”, përcjell teve1.info

“Ky Ligj e dëmton në esencë funksionimin e shërbimit civil duke ia marrë mandatin 1600 njerëzve dhe njëkohësisht duke i kthyer këto pozita në pozita ku një parti politike, një qeveri vendos për emërimin e tyre. Qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe qëndrimet e të gjitha organizatave ndërkombëtare janë shumë të qarta, janë kundër. Dhe ne si AAK do të bëjmë disa amendamente në mënyrë që ta largojmë këtë nen që është diskriminues e që në esencë është kapje e shtetit”, tha ai në një konferencë për media.

Ai po ashtu tregoi dy qëndrimet që i kanë si AAK, sa i përket Ligjit të pagave.

“E para vlera e koeficientit duhet të jetë 129 euro, ndërsa hyrja në fuqi duhet të ndodhë menjëherë, pra më 1 shkurt, që të përfitojnë dhe me këtë ligj të mos ketë zbritje të pagave, por të ketë ngritje të pagave”, shtoi ai.