Tahiri: Seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit për qeverinë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e nesërme të Kuvendit në të cilën do të jetë interpelanca e ministrit Hekuran Murati, tha se do t’i parashtrojë dy çështje të rëndësishme.

Me anë të një postimi në Facebook, ai sqaroi se takimi i nesërm duhet të jetë alarmi i fundit për qeverinë.

“Seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit për të shtyrë përpara detyrën më të madhe të Qeverisë për investimet publike, dhe të përkujdeset për të punësuarit e administratës shtetërore, që dita ditës po e lëshojnë Kosovën”, ka thënë Tahiri.

Postimi i plotë:

Nesër, në seancën e Kuvendit të Kosovës, do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës – interpelanca e ministrit, Hekuran Murati, të cilin e kemi ftuar që të reflektojë në dy rreziqe të mëdha ekonomike që i ka Kosova me këtë Qeveri: E para, lidhet me bllokimin e investimeve kapitale, që është në nivelin më të ulët në histori. Dhe, e dyta, me nevojën që me rishikim buxhetor të ngritet koeficienti i pagave nga 105 në 129 euro për shërbyes civil.

E kam një porosi për Qeverinë dhe ministrin: seanca e nesërme duhet të jetë alarmi i fundit për të shtyrë përpara detyrën më të madhe të Qeverisë për investimet publike, dhe të përkujdeset për të punësuarit e administratës shtetërore, që dita ditës po e lëshojnë Kosovën.

Ne do të prezantojmë qëndrimet tona, kalkulimet tona, mbi të gjitha sugjerimet tona për ndryshimet në buxhet të Kosovës me rishikim.