Tahiri thirrje partive politike: Ejani të dakordohemi e ta shpërndajmë Kuvendin

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me përplasje të ashpra të LDK-së e VV-së, të cilat akuzuan njëra tjetrën për degradimin e sistemit shtetëror.

Deputeti i VV-së, Liburn Aliu ishte i pari që nisi këtë debat, duke akuzuar qeverinë për degradim në shëndetësi, dhe mungesë legjitimiteti.

Debati vazhdoi edhe më tutje, derisa ndërhyri edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.

Ky i fundit tha se 2020-ta ka qenë viti më i rëndë për shtetin dhe shoqërinë kosovare. Ai në këtë deklaratë aludoi në deklaratat e VV-së dhe LDK-së, për të cilët tha se kanë degraduar shtetin.

“2020-ta ka qenë viti më i rëndë që ka përjetuar shoqëria dhe shteti ynë. Këtë më së miri e pasqyruan parafolësit e mij. Ata që për qeverinë e shpresës i vodhën besimin qytetarëve të Kosovës. Qeveria e shpresës solli degradimin më të madh në ekonomi, në shëndetësi, dhe po rrënon arsimin në kohë pandemie”, ka thënë ai.

Ai tha se partitë duhet të mblidhen sa më parë për t’u dakorduar për shpërbërjen e Kuvendit.

“ Ky është rezultati i 6 tetorit të koalicionit të shpresës. Kurti dezertoi, dhe qeveria aktuale s’po mund t’i mbledh më shumë se 35 mijë vota. Është koha që të mos humbim asnjë ditë të vetme, është koha të ulemi dhe të dakordohemi për një datë që ky Kuvend të shpërbëhet. Sa më parë që të caktojmë një datë do ta shpëtojmë shoqërinë nga degradimi që po i bëhet”, tha tutje ai.