Tahiri: Vendimi për mospagimin e mësimdhënësve është politik

Ka më shumë se një muaj që në Kosovë, greva e mësimdhënësve dhe administratës publike, vazhdon të mbetet tema më aktuale. Ndonëse kishte një vendim për pezullimin e saj, tashmë ka dalë një telashe e re, mospagesa e mësimdhënësve grevistë nga ana e qeverisë.

Qeveria e Kosovës e bëri të qartë se për muajin shtator do të paguhen vetëm ata mësimdhënës që kanë punuar dhe nuk kanë qenë pjesë e grevës. Një veprim të tillë, ekzekutivi e arsyeton në ligj.

Por me një vendim të tillë, nuk është se po pajtohen dhe partitë opozitare.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, RTK, tha se Qeveria është institucion që merr vendime, por ajo çka shihet tani, sipas tij, është mosgatishmëri të marrë vendime dhe kjo po shkakton krizë mbi krizë dhe me këtë po krijohet destabilizimi në vend.

Sipas Tahirit, vendimi për mospagimin e mësimdhënësve është politik.

“Një muaj rresht ka pasur grevë dhe një muaj më herët kishte paralajmërim për të, nuk kishte vendimmarrje për të dhe më pas vendimmarrja na sjell në një gjendje edhe më të keqe, që lidhet me vendimin e Qeverisë për të mos i paguar pagat e një sektori”, thotë Tahiri.

Sipas tij, punëdhënës i një arsimtari, një mësuesi grevistë është Drejtoria Komunale e Arsimit, nëse duhet të ndërmerret ndonjë masë, këtë, sipas tij, duhet ta bëj Komuna dhe kjo bëhet përmes Inspektoratit të Punës, për të parë se kush ka dalë në punë.

“Qeveria po bënë një dënim kolektiv i cili nuk është askund në ligj dhe bie ndesh edhe me Gjykatën e Strasburgut, që ndalon dënimet kolektive, si dhe bie ndesh me nenet e Ligjit mbi grevat. Vendimet e tilla janë vendime politike”, thotë Tahiri.

Kurse, vendimin e sotëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me të cilin bëhet e ditur se plotësimi dhe ndryshimi i kalendarit të vitit shkollor 2022-23, për shkak të 22 ditëve të pa mbajtura të mësimit, si pasojë e grevës së mësimdhënësve, deputeti Tahiri e cilëson si vendim skandaloz të kësaj ministrie.