Tahiri: Votoni marrëveshjet ndërkombëtare, janë për qytetarët – jo për partitë politike

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri, ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për votimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Tahiri ka bërë thirrje që të votohen këto marrëveshje, ngase janë të rëndësishme për qytetarët e vendit. Ai ka thënë se marrëveshjet nuk janë të qeverisë Hoti, por edhe të qeverive të mëparshme.

“Të gjithë ne e dimë që këto marrëveshje ndërkombëtare i nënshtrohen një procedure mirë të përcaktuar. Marrëveshjet kanë ardhur këtu prej disa qeverive, prej disa kryeministrave”, tha ai.

Tahiri tha se marrëveshjet janë për të gjithë qytetarët, dhe nuk i hyjnë në punë ndonjë subjekti politik. Prandaj, ka thënë ai, nuk duhet të bëhet politikë me marrëveshje kaq të rëndësishme.

“Këto marrëveshje nuk janë marrëveshje që i hynë një subjekti politik. Në qoftë se vazhdojmë më shumë vetëm humbim kohë”, tha ai.

Deri tani marrëveshjet ndërkombëtare kanë refuzuar t’i votojnë deputetët e VV-së dhe PDK-së.