Tahiri: Vuçiq vendosi barrikada, Kurti spektaktor

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri thotë se eksponentë të VV-së janë rrokur pas valles që po i prinë Kryeministri Kurti.

Tahiri përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, Vuçiq vendosi barrikada brenda Kosovës, ndërsa sipas tij Kurti ishte spektator i devotshëm.

“Një Vuçiq që vendosë barrikada brenda Kosovës, e një kryeministër i Kosovës që rri si spektator përballë tyre, është fotografia që përmbledhë mjerimin shtetëror nën qeverisjen e VV-së”, shkruan Tahiri.

Shkrimi i plotë:

Eksponentë të VV-së janë rrokur pas valles që po i prinë Kryeministri Kurti, për t’ua shpalosur qytetarëve “suksesin” e heqjes së barrikadave, thuajse ato ishin vendosur në Rashkë apo Nish, e jo në Mitrovicë, Zubin Potok e Leposaviq.

E vërteta që u pa krejt hapur nga ky zhvillim, është se në fakt, Aleksandër Vuçiqi ishte ai që vendosi e i hoqi barrikadat brenda Kosovës sipas dëshirës, ndërsa kryeministri Kurti ishte gjatë tërë kohës, një spektator i devotshëm dhe komentator rrethanor.

Një Vuçiq që vendosë barrikada brenda Kosovës, e një kryeministër i Kosovës që rri si spektator përballë tyre, është fotografia që përmbledhë mjerimin shtetëror nën qeverisjen e VV-së.