Vetëvendosje ia ofron PDK-së 3 drejtori në Gjilan, detaje nga bisedimet mes këtyre dy subjekteve

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet lokale arriti ta përmbysë bastionin e LDK-së në Gjilan. Kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, megjithatë nuk e ka shumicën e nevojshme në asamble. Atij i duhet arritja e koalicioneve për të mundësuar zgjedhjen e kryesuesit të kuvendit komunal.

Në anën tjetër, nga Partia Demokratike e Kosovës bëjnë me dije se janë në negociata të avancuara me Vetëvendosjen për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Ish kandidatja e PDK-së për kryetare të Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, ka thënë se të dy palët kanë pasur propozimet e tyre.

“Fillimisht ata kanë ofru 3 drejtori, ne kemi kërkuar drejtori dhe njërin prej posteve nënkryetarin ose kryesuesin. Në ndërkohe ne kemi ra në 4 drejtori dhe kryesuesin, tash po presim. Ata na kanë ofru tri drejtori. Jemi në pritje. Biseda e fundit ka qenë mbrëmë”, ka thënë ajo për Indeksonline.

Më tutje, ajo ka thënë se nuk kanë diskutuar ende për ndarjen e drejtorive.

“Seanca e radhës për zgjedhjen e kryesuesit do të jetë më 7 janar. Deri atëherë nëse ekziston interesimi i dy palëve me bërë një kompromis për herë të interesit të qytetarëve dhe zhvillimit të komunës, atëherë edhe mendoj se mund të kemi marrëveshje”, ka shtuar ajo.

Kujtojmë se kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ditë më parë pati publikuar një listë të parimeve mbi bazën e të cilave mund të diskutohet me subjektet politike në Gjilan për bashkëqeverisje.