“Takim informues për punën e Gjykatës…”, Çka thonë në OVL-UÇK dhe IKD për vizitën e Trëndafiloves në Kosovë

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës, Ekaterina Trëndafilova, do të vizitojë Kosovën në fund të muajit nëntor, me ç’rast pritet të zhvillojë një takim me pjesëtarë të shoqërisë civile.

Vizita e saj vjen pak ditë pasi ish-krerët e UÇK-së mbushën tre vjet prej kur ndodhen në paraburgim në Hagë.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thonë se kanë pranuar ftesë për takim me kryetaren e Dhomave të Specializuara.

Ehat Miftaraj nga IKD-ja ka thënë për IndeksOnline-n se Trëndafilova do t’i njoftojë për punën e Gjykatës…

Nga ana tjetër, në Organizatën e Veteranëve të Luftës e quajnë të panevojshme vizitën e saj.

“Nuk është puna e saj me eduku shoqërinë civile. Nuk është roli i gjykatësit me mbajt konferenca me gazetarë e shoqëri civile, veç me i krye punët e veta. Asnjë gjykatës këtu në Kosovë nuk mban takime me gazetarë e shoqëri civile për me edukue shoqërinë civile se a e donë apo jo gjykatën”, ka thënë Klinaku për IndeksOnline-n.

I pyetur se a do të organizojnë ndonjë aksion simbolik për vizitën e paralajmëruar, Klinaku ka thënë se tash për tash nuk mund të thotë asgjë.

Kujtojmë se Trendafilova, e kishte anuluar vizitën e saj të paralajmëruar në Kosovë, në verën e vitit të kaluar, pas paralajmërimeve për protesta nga PSD-ja dhe disa degë të OVL-UÇK-së/IndeksOnline/