Takimi i 14 shtatorit/ Analistët: S’ka pritje të mëdha, temë e diskutimit situata në veri

Pas më shumë se 4 muajve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq pritet të takohen përsëri në Bruksel.

Takimi është konfirmuar që do të mbahet më 14 shtator.

Takimi i fundit mes Kurtit e Vuçiqi është zhvilluar më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, të cilat janë bojkotuar nga popullata lokale serbe. Nga ajo kohë, mes dy vendeve ka pasur një sërë tensionesh dhe krizash.

Por, çfarë pritet nga ky takim pas një kohe të gjatë për Front Online kanë folur analistët politik.

Ata thonë se nuk kanë pritje të mëdha nga ky takim, duke shtuar se mbajtja e zgjedhjeve në veri të vendit do të jetë temë kryesore.

Demhasaj: Nuk pres që të ketë marrëvshe në Bruksel më 14 shtator

Analisti Arton Demhasaj thotë për Front Online se takimi i 14 shtatorit do të jetë vetëm një ulej e dy liderëve në tryezën e diskutimit por se nuk pret që do të ketë ndonjë marrëveshje.

“Nuk mundem me thënë që mundem me pas pritje shumë të mëdha, thjesht vetëm një ulje, e dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë dhe tryezën e dialogut për të diskutuar qoftë për depërshkallëzimin e situatës në veri, eventualisht edhe mbajtjen e zgjedhjeve atje edhe njëkohësisht edhe për rikthimin pastaj në tryezë të dialogut në terma të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit. Mendoj, që kjo ka me qenë pak a shumë tema e diskutimit. Unë nuk pres që do të ketë qoftë ndonjë marrëveshje apo diçka tjetër”, është shprehur ai për Front Online.

Ndërsa, kur është pyetur se a do të jetë temë e diskutimit edhe çështja e Asociacionit, Demhasaj deklaron se ndoshta do të diskutohet edhe kjo çështje, por jo të ketë presion për themelimin e tij

“Nuk mendoj që vetëm çështja e Asociacionit e ka bllokuar dialogun, është thjesht në tërësi edhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, por sa i përket anës sonë është çështja e Asociacionit. Po, mendoj që kanë me u diskutua këto tema, mirëpo nuk besoj që ka me ardhë deri tek presioni që me themelu Asociacionin për aq kohë sa nuk ka një zgjidhje të qëndrueshme për veriun, kur them zgjidhje të qëndrueshme mendoj momentale që nënkupton mbajtjen e zgjedhjeve lokale atje dhe rikthimin e serbëve në institucionet lokale”, ka thënë ai, për Front Online.

Sipas tij, presioni për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të vijë tek pas mbajtjes së zgjedhjeve.

“Pas kësaj pastaj do të ketë shtim të presionit te Kosova për fillimin e procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe siç është pranu në marrëveshjen e Brukselit edhe në aneksin e Ohrit, por njëkohësisht do të shtohet edhe presioni për fillimin e zbatimit të marrëveshjes që nënkupton njohjen e dokumenteve dhe çështje të tjera të ngjashme”, ka shtuar ndër të tjera Demhasaj.

Muhaxhiri: Veriu dhe Asociacioni, pikat kryesore të takimit në Bruksel

Pas më shumë se 4 muajve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq pritet të takohen përsëri në Bruksel.

Që temë kryesore në këtë takim pritet të jetë çështja e veriut, duke mos e përjashtuar Asociacionin e thotë edhe analisti tjetër, Artan Muhaxhiri.

“Gjithsesi mendoj që pika kryesore do të jetë çështja e veriut sepse mënyra institucionale e organizimit të zgjedhjeve do të jetë tema më e rëndësishme pasi që përveç shpejtësisë nevojiten edhe garanci si nga Kosova edhe nga Serbia për një proces normal zgjedhor, por gjithashtu edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë temë e rëndësishme që do të diskutohet sepse është një insistim i vazhdueshëm edhe i bashkësisë ndërkombëtare që Kosova ta ofrojë pozicionin e saj në raport me këtë Asociacion në mënyrë që pastaj të mudn të negociohen edhe modalitetet specifike”, është shprehur ai, për Front Online.

Mirëpo, shton se para mbajtjes se takimit të 14 shtatorit të ketë garanci.

“Në fakt tash presionet janë shumë të mëdha sepse marrëveshja e Ohrit nuk është duke u realizuar në mënyrë efektive, prandaj edhe kemi stagnim të dialogut, veçanërisht pas ngjarjeve në veri, kështu që është e pritshme që para këtij takimi të ketë garanci për një rezultat pozitiv sepse nuk do të ketë asnjë kuptim që edhe pas këtij takimi të mos ketë ndonjë të arritur të rëndësishme”, ka thënë Muhaxhiri.

Më 30 gusht, BE-ja përsëriti thirrjen për të dyja që të krijojnë një klimë për vazhdimin e dialogut.

Dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.