Takohen Kurti dhe Hoti, ja për çfarë u pajtuan?

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka thënë se pavarësisht zhvillimeve politike do të punojnë 24 orë që të mbajnë të fortë sistemin shëndetësor e që qytetarëve të mos u mungojë asgjë që lidhet me shërbimet bazike, siç janë shërbimet shëndetësore, komunale e deri te ato bankare.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoti ka njoftuar sot në mëngjes u takua me Kryeministrin Kurti dhe disa nga ministrat për të dakorduar masat për mbështetje të bizbeseve, me qëllim që bizneset të jenë në gjendje të ofrojnë mallra e shërbime për qytetarë.

“Jemi duke bërë krejt çka është në dorën tonë që ata qytetarë që tash sa ditë gjenden në kushte karantine, të mos u mungoj asgjë që lidhet me shërbimet bazike, siç janë shërbimet shëndetësore, komunale e deri te ato bankare. Askush nuk do të mbetet anash. Askënd nuk do të lejojmë të vuaj për nevojat e përditëshme. Lufta s’do jetë e lehtë! Por, kujdesi juaj e përkushtimi i përbashkët do na nxjerrë faqebardhë”, ka shkruar Hoti.