Taksa mbyll shumë biznese në Luginë të Preshevës (video)

Shumë biznese në Luginë të Preshevës kanë reduktuar numrin e punëtorëve ose janë mbyllur në tërësi, që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur tarifën 100 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Kërkesa e Luginës, që për bizneset shqiptare mos të aplikohet taksa, nuk është pranuar nga Prishtina zyrtare.

Qumështorja Doda në Komunën e Preshevës, në jug të Serbisë, është nga bizneset e shumta që pësoi humbje në taksa 100 për qind e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Deri para vendosjes së taksës një vit më parë, qumështorja Doda, ka eksportuar mbi 70 për qind të produkteve në tregun e Kosovës. Qumështorja është në fazën e mbijetesës. Nga 14 punëtorë tashmë janë vetëm 8.

Pronari i qumështores thotë se përveç humbjeve që i pësoi biznesi i tij, të prekur janë edhe 120 fermerët me të cilët bashkëpunon ai.

“Ata [fermerët] janë njerëz që kanë pësuar më së shumti [humbje], pasi që në vend që të grumbullojnë qumështin për çdo ditë, ne grumbullojmë qumështin në tre apo katër ditë në javë për shkak të sasisë së kufizuar të shitjes së produkteve tona. Ata kanë burimin kryesor të jetesës dhe janë atakuar me këtë problem dhe janë ballafaquar me problemin e ekzistencës”, tha Muamer Mehmeti.

Vlera e eksportit në vit të produkteve të Serbisë në Kosovë ka rënë në 4 milionë nga 400 milionë sa ishte para taksës.