Të dielën pak orë para protestës së opozitës zbarkon në Tiranë shefi i NATO-s

Report Tv mëson se ditën e diel pak orë para protestës së shtatë kombëtare të opozitës kryeqytetin shqiptar do ta vizitojë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai do të qëndrojë në Tiranë vetëm disa orë në një vizitë të paplanifikuar, ndërsa do të takohet me kryeministrin Edi Rama. Në qendër të bisedës padyshim që pritet që të jetë siguria rajonale, por edhe aktualiteti politik në Shqipëri. Pas Shqipërisë, Stoltenberg do të udhëtojë drejt Maqedonisë për të zhvilluar disa takime me zyrtarët e lartë të vendit fqinj në Shkup.

Situata politike në Shqipëri është mjaft e tensionuar, teksa të shtunën shumica hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ndërsa opozita jo vetëm i ka bojkotuar por ka paralajmëruar pengimin e tyre. Lulzim Basha ka refuzuar thirrjet dhe letrat e kryeministrit për dialog, ndërsa ka kushtëzuar edhe angazhimin e Gjermanisë për të ndërmjetësuar, pasi kërkon me cdo kusht largimin e Edi Ramës.