Të enjten pritet shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Komisioni Qendror Zgjedhor ka mbajtur sot mbledhje, në të cilën është bërë e ditur se të enjten pritet të publikohen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura në Komunën e Podujevës dhe në veri të Mitrovicës.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka deklaroi shkurt se beson që nesër fillon numërimi i votave me kusht dhe rezultatet përfundimtare të shpallen të enjten.

Ajo shtoi se pas kësaj do të presin edhe për ankesat që mund t’i kenë partitë politike.

Ndërsa Burim Ahmetaj nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve deklaroi se 97% e fletëvotimeve janë procesuar si të rregullta.

Ai ka shtuar se një numër shumë i vogël janë në auditim sepse janë ngatërruar numri i fletëvotimeve të vlefshme dhe pavlefshme por nuk kanë ndikim në rezultate.