Të mos harrohet amaneti i Abdullah Tahirit për bashkimin e tokave shqiptare

Në kuadër të “Flakës së Janarit 2020”, sot në Gjilan është mbajtur Akademi Përkujtimore, në nderim të heronjve të atdheut.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi – Emini tha se edicioni i sivjetëm i Flakës, u dedikohet të gjithë të rënëve, në veçanti veprimtarit, heroit të kombit Abdullah Tahiri, i cili me angazhimin e tij politik kundër regjimit jugosllav tregoi heroizëm të jashtëzakonshëm duke shpërndarë ide të çlirimit dhe duke luftuar për të drejtën e popullit shqiptar për të jetuar të lirë dhe për të bërë shtetin e Kosovës të pavarur.

Ajo theksoi se Flaka e Janarit pas dy dekadave radhazi vazhdon të jetësohet në të gjitha trevat shqiptare.

“Flaka e Janarit përveç si manifestim kulturor, që përmes katër shtyllave të saj: letërsinë, muzikën, dramën dhe pikturën, shfaqi art dhe me potencialin e saj përhapi idetë mbi çlirimin e Kosovës dhe themeluesit. Aktivistët e saj gjatë viteve të 90-të treguan se për çështjen e atdheut duhet të luftohet edhe me art e kulturë të mënyrave të ndryshme. Edhe pas luftës për dy dekada radhazi kjo flakë vazhdon të mbetet e ndezur duke jetuar në të gjitha trevat shqiptare duke i falë Gjilanit, Kosovës dhe përtej një muaj të pasur me aktivitete kulturore”, tha ajo.

Gjithashtu në nder të 20 vjetorit të vdekjes së atdhetarit Abdullah Tahirit, është vënë gurthemeli i shtatores së tij.

Shkrimtari i njohur nga Gjilani, Sabit Rrustemi tha se Flaka e Janarit filloi në 10 vjetorin e vrasjes së atdhetarëve tanë Jusuf Gërvalla, Kadri Zekës si dhe Bardhosh Gërvallës.

Ai ndër të tjerash tha se me Flaken e Janarit po përkujtohen të gjithë luftëtarët, martirët, heronjtë të cilët luftuan, dhe të cilët bënë çmos në rrugën drejt çlirimit dhe falë tyre ne po jetojmë në liri.

“Është mirë të thuhet edhe në edicionin e 29-të, se Flaka e Janarit u themelua në një institucion publik, arsimor e kulturor, Shkollën e Muzikës që ndodhet afër qendrës së qytetit dhe themeluesit e tij ishin subjekte ilegale, kulturor e politik, që merreshin me veprimtari kulture e rinore dhe të cilët angazhoheshin për liri, pavarësi e demokraci, natyrisht nga fushat të cilave iu përkisnin me mjete dhe me dijet e tyre dhe me vullnetin e tyre të pakursyeshëm”, tha Rrustemi.

Nënkryetari i Lidhjes së Historianëve Ali Hadri në Gjilan, Blerim Haziri tha se atdhetari Abdullah Tahiri mbetet figure unifikuese e popullit shqiptar në luftën kundër regjimit serb dhe luftën për çlirim.

“Abdullah Tahiri nuk e pati fatin ta përjetojë lirinë e Kosovës, por ai rrahu në kujtimet tona ndonëse mendja e tij nuk e pranoi asnjëherë robërinë e popullit të Kosovës, prandaj mbeti figurë e rrallë e dëshmorit të kombit, bëri gjithçka që të shohë Kosovën e lirë, tani ai pushon në varrezat në komunën e Gjilanit”, tha Haziri.

Ndërsa në emër te familjes së Tahiri, Bajrush Tahiri tha se nuk duhet harruar amaneti i dëshmorëve, për t’i bashkuar të gjitha trevat shqiptare në një vend./M.Hoxha/ksp