Telefonata e parë që nga pushtimi rus/ Xi dhe Zelensky biseduan, Kina do dërgojë përfaqësues në Ukrainë

Për herë të parë nga nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia Presidenti Volodymyr Zelensky foli të mërkurën me liderin kinez Xi Jinping, partnerin më të rëndësishëm diplomatik të Moskës.

Lajmi është konfirmuar nga vetë Zelensky i cili përmes një postimi në rrjetin social “Twitter” se biseda ishte e gjatë dhe domenthënëse.

“Kam pasur një telefonatë të gjatë dhe domethënëse me presidentin kinez Xi Jinping. Besoj se kjo thirrje, si dhe emërimi i ambasadorit të Ukrainës në Kinë, do t’i japë një shtysë të fuqishme zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe”.

Shefi i kabinetit të Zyrës Presidenciale të Ukrainës, e përshkroi bisedën telefonike si “një dialog të rëndësishëm”, ndërsa transmetuesi shtetëror kinez ÇTV konfirmoi bisedën gjatë së cilës Xi tha se një i dërguar do të udhëtonte në Ukrainë dhe vende të tjera për të bërë një “komunikim të thellë” me të gjitha palët për një zgjidhje politike të krizës ukrainase.

Në një konferencë të mërkurën, Ministria e Jashtme e Kinës tha se i dërguari i saj në Ukrainë do të jetë Li Hui, Përfaqësuesi Special i Qeverisë Kineze për Çështjet Euroaziatike.

Ai është një njohës i mirë i Rusisë pasi ka shërbyer si ambasador në Moskë nga viti 2009 deri në vitin 2019.

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 15 muaj nga nisja e pushtimit Rus të Ukrainës, Pekini ka refuzuar të dënojë pushtimin ose të bëjë ndonjë thirrje publike për Rusinë që të tërheqë trupat e saj.

Ndërsa Xi ka folur me liderin rus Vladimir Putin pesë herë që nga pushtimi, duke përfshirë një takim ballë për ballë në Kremlin, kur udhëheqësi kinez vizitoi Moskën muajin e kaluar dhe një tjetër takim personal në një samit rajonal në Azinë Qendrore shtatorin e kaluar.

Nuk dihet nëse nisma e kinës për të ndërmjetësuar dialogun do të jetë efektive por zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha të mërkurën se Moska kishte marrë parasysh gatishmërinë e Kinës për të lehtësuar negociatat me Ukrainën pas telefonatës mes Xi dhe Zelensky.