Tërmete të reja në Korçë

Instituti i Gjeoshkencave në Shqipëri regjistroi të dielën në zonën e Korcës në Juglindje të Shqipërisë 15 tërmete të reja me fuqi të mesme. Nga lëkundjet nuk janë njoftuar dëme ndërsa ka vijuar paniku tek banorët e zonës, të cilët kanë braktisur banesat duke qëndruar jashtë.

Ndërkohë sipas të dhënave nga terreni dhjetëra banorë të fshatrave Floq, Dvoran, Qafëzezë dhe Vidohovë e kaluan natën në çadra në këtë zonë ku të shtunën nga një tërmet i fuqishëm u shkatërruan dhjetëra banesa. Ministria e Mbrojtjes tha përmes një deklarate se në zonën e prekur nga tërmeti janë marrë masa për furnizimin me ujë, montimin e çadrave dhe furnizimin e banorëve me ushqime.

Emergjencat Civile thanë se numri i banorëve që e kaluan natën jashtë në çadra ishte 230 ndërkohë që janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara. Sipas emergjencave 230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura, 160 në Floq, 40 në Vidovë dhe 30 në Qafëzez.

Nga pasojat e tërmetit të së shtunës u raportuan 4 persona me lëndime të lehta. Lëkundjet e njëpasnjëshme të tërmetit në territorin e qarkut të Korçës filluan të shtunën në mëngjes duke dëmtuar shtëpitë e disa fshatrave.