Tërmkolli i ka dy fjalë për Kurtin

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka shkruar se VV nuk është fituese e zgjedhjeve që ja mundëson krijimin e qeverisë si e vetme, mirëpo, parti e parë me një diferencë shumë të vogël me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Tërmkolli thotë se as VV e as LDK nuk po i marrin apo i japin asgjë njëra tjetrës, janë duke u përpjekur bashkarisht që të formojnë institucionet.

“VV nuk është fituese e zgjedhjeve që ia mundëson krijimin e qeverisë si e vetme, është veҁ e para nga zgjedhjet e 6 Tetorit, me një diferencë shumë të vogël me LDK-në. Nëse qytetarët e paskan zgjedhur Albin Kurtin kryeministër siҁ po deklarohen “filozofët” e VV-së, atëherë le të bëhet kryeministër. Askush nuk po e ndalë. Pse duhet të bisedojë me LDK-në a këdo tjetër?! Duket e ҁuditshme që për disa muaj në fjalorin e bisedimeve për bashkëqeverisje eventuale me LDK-në, ata përdorin terma si: nuk ia japim presidentin, nuk e japim X ministrinë etj. Nëse i keni, mos i jepni, pse duhet dhënë. As VV as LDK nuk po i merr as nuk po i jep tjetrës asgjë. Janë përpjekje bashkërisht për të formuar institucione mbi formula të një koncepti për një situatë përafërsisht të barabartë pushtetesh që ka mundësuar vota e qytetarëve për secilën parti, njëra 29 deputetë (VV), tjetra 28 deputetë (LDK)”, ka deklaruar ajo.

Tutje, Tërmkolli thotë se arroganca dhe despotizmi i eksponentëve të VV’së është i frikëshëm, kur ata ende nuk janë në pushtet.

“Arroganca dhe despotizmi i eksponentëve të VV-së, është e frikshme, ende pa pushtet real. Tipike për të majtën ekstreme. Sjelljet e tilla të VV-së si “zotër” të Kosovës apo të LDK-së nuk kalojnë. “No pasaran”, Albin!

VV i ka dhënë vetes të drejtën të përcaktojë jo vetëm emrin e kryeministrit por edhe atë se kush duhet të jetë kryetari/ja e Kuvendit nga LDK-ja, kush duhet të jetë president i Kosovës etj. duke tejkaluar kështu normat më elementare, jo veҁ të sjelljes politike. T’ia përplasësh fytyrës LDK-së emrin e z. Rexhep Qosja për president të vendit është më shumë se poshtëruese për LDK-në dhe Kosovën, është provokim i rëndë me synimin për të rrënuar identitetin politik e kombëtar i LDK-së. Për më tepër, kur dihen qëndrimet e Qosjes për ndarje të Kosovës qysh në vitet 90-ta, tregon qartë se problemi për VV-në nuk qëndron te tendenca e Serbisë për ndarje të Kosovës por te emri që “duhet” ta përfaqësojë këtë politikë”, ka deklaruar tutje.

Sipas Tërmokollit, Kurti është e vështirë që të qeverisë me dikë, cilado që të jetë ajo parti.

“Albini, është vështirë të qeverisë bashkë me dikë, cilado parti të jetë, aq më pak si i barabartë ose afërsisht i barabartë me dikë si është rasti tani me LDK-në, prandaj edhe del të jetë e vështirë arritja e marrëveshjes për qeverisje të përbashkët dhe edhe nëse arrihet ndonjë marrëveshje, qeverisja e përbashkët, vështirë të funksionojë. Albini duhet të vendosë, ia mbanë apo nuk ia mbanë të bëhet Kryeministër”, ka bërë të ditur./GazetaExpress/