Thaçi: BE-ja duhet të koordinohet me rolin udhëheqës të SHBA-ve në dialogun me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media pas pjesëmarrjes në Samitin e Zagrebit.

Thaçi tha se në këtë samit njëra ndër temat kryesore ishte edhe luftimi i pandemisë së koronavirusit, për çka ai tha se ka transmetuar angazhimin e pashoq të Kosovës në këtë aspekt.

“Sic edhe jeni të informuar, dje zhvilluam punimet e Samitit të Zagrebit, të liderëve të BE-së të shteteve anëtarëve, por edhe të liderëve të Ballkanit. Dëshiroj që të falënderoj shtetin kroat, kryeministrin e Kroacisë për organizimin e këtij Samiti. Shpreh mirënjohje për mundësinë që Kosovë të paraqitet si shtet i pavarur dhe sovran. Pothuajse të gjithë liderët kanë folur për rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër koronavirusit, duke shprehur ngushëllimet për viktimat. Prezentova edhe realitetin në Kosovë, që falë institucioneve shëndetësore kemi një numër të vogël viktimash. Fokusi mbetet edhe sot në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë”, tha Thaçi.

Presidenti tha se në këtë samit është diskutuar edhe për liberalizimin e vizave, teksa sipas tij, Kosova meriton një trajtim më të përgjegjshëm nga BE-ja dhe një vendimmarrje të shpejtë.

“Përkundër pandemisë, Kosova mbetet e përkushtuar në prioritetet e saj, në veçanti të funksionimit të institucioneve demokratike. Unë kam theksuar se Kosova meriton trajtimin më të shpejtë dhe përgjegjshëm nga BE-ja, në veçanti sa i përket nevojës dhe meritës për vendimin e menjëhershëm për liberalizimin e vizave. Kjo vonesë vetëm sa po zbeh besimin në raport me vendimmarrrjen në Bruksel. Në deklarimin tim kam bërë thirrje që anëtarët e BE-së duhet të lëvizin me urgjencë në këtë çështje. Mos-liberalizimi është një ndëshkim i padrejtë për qytetarët e Kosovës. Ky mos-unitet ndërlidhet me mos-njohjen e pesë vendeve të shteteve anëtare. Djem kam bërë thirrje që edhe këto vende ta njohin shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, tha presidenti.

Temë diskutimi në këtë takim ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi, ndërsa Thaçi tha se BE-së i duhet unitet në këtë drejtim, mirëpo se udhëheqja t’i takojë SHBA-ve.

“Çështja tjetër është edhe dëshira e BE-së që të ketë rol në dialogun Kosovë-Serbi. Kjo është e mundshme deri sa BE-ja përfshihet me unitet brenda për brenda dhe me një koordinim të ngushtë me rolin udhëheqës të SHBA-ve. Kosova është që dialogu të vazhdojë dhe të arrihet një marrëveshje finale. Kjo duhet të jetë një finale e përfunduar me njohje reciproke si vende të pavarura dhe sovrane”, tha presidenti.

Në fund, sipas presidentit është e rëndësishme që edhe Kosova të mos përjashtohet nga politika e zgjeruese e BE-së, dhe e njëjta të trajtohet si shtet i pavarur dhe sovran.

“Çështja e tretë është që BE-ja të mos i shmanget zgjerimit në shtetet e Ballkanit. Të gjithë duhet të punojmë në rikthimin e besimit evropian në Ballkan. Për Kosovën është e rëndësishme që kemi një angazhim edhe më konkret të BE-së, gjithmonë duke u trajtuar si vend i pavarur dhe sovran. BE-ja nuk mund të sillet neutrale në raport me Kosovën”, ka thënë në fund presidenti.