Thaçi e Haradinaj nesër udhëtojnë bashkë drejt Gjermanisë

Nesër në Munih të Gjermanisë do t’i fillojë punimet Konferenca e 55-të Ndërkombëtare e Sigurisë.
Pjesë e kësaj konference edhe sivjet janë liderët e shtetit të Kosovës.
Merret vesh se në këtë konferencë do të marrin pjesë presidenti, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Udhëtimin e Haradinajt nesër drejt Munihut e ka konfirmuar për Ballkani.info Avni Arifi, shef i kabinetit të kryeministrit.
Arifi ka thënë se edhe ai do të jetë pjesë e delegacionit kosovar.
Se në Munih do të udhëtojë edhe Pacolli, lajmin e ka konfirmuar shefi i kabinetit, Jetlir Zyberaj.
Merret vesh se të tre liderët do të udhëtojnë me të njëjtën linjë ajrore.
Ky udhëtim i përbashkët i Thaçit dhe Haradinajt vjen në një kohë kur marrëdheniet e tyre politike nuk janë në nivelin e duhur.
Presidenti angazhohet që taksa ndaj mallrave serbe dhe boshnjake duhet të pezullohet pasi që është kërkesë eksplicite e aleatëve të Kosovës në krye me SHBA-të. Sipas tij, pezullimi i taksës do t’i hapte rrugë dialogut me Serbinë për arritjen e marrëveshje përfundimtare.
Në anën tjetër, Haradinaj thotë se taksa është mjeti i vetëm që do ta detyrojë Serbinë ta njoh Kosovën dhe si e tillë është vendosur pas sjelljes së vazhdueshme destruktive të Beogradit karshi Prishtinës.
Haradinaj vazhdon të këmbëngulë se taksa mund të hiqet vetëm kur të ketë garanca të forta, sidomos nga SHBA-ja, se Serbia do ta njoh Kosovën.