Thaçi: Gjendja e jashtëzakonshme pritet të zgjasë 30 ditë, me mundësi vazhdimi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur në një konferencë për media pas propozimit të tij që në vend të shpallet gjendje e jashtëzakonshme.

Presidenti bëri të ditur që propozimi përfshinë që në Kosovë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për 30 ditë, me mundësi vazhdimi ose ndërprerje, varësisht nga situata, shkruan lajmi.net.

“Në minutat vijuese do të informoheni në detaje për përmbajtjen e dekretit që përfshin gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë 30-ditore me mundësi vazhdimi ose ndërprerje”, tha presidenti.

Presidenti tutje tha se menaxhimin më të mirë të situatës mund ta bëjnë vet qytetarët e Kosovës, me kujdesin dhe diciplinën e tyre.

“Mjekët janë duke bërë një punë të madhe, të shkëlqyer dhe shembull për rajonin e më gjerë. Ishte konstatim i përbashkët që menaxhimin më të mirë të situatës së krijuar mund ta bëjnë qytetarët, familjet, shoqëria me disiplinën që tregojnë, duke ia lehtësuar kështu kohërat e vështira që po i kalojnë”, tha presidenti.

Thaçi tutje tha se Kosova është e vetëdijshme që gjendet në një hapësirë të epiqendrës së koronavirusit, mirëpo se duhet të merren parasysh përvojat e vendeve tjeranë këtë aspekt.

“Natyrisht, ne jemi të vetëdishëm, sepse jetojmë në këtë hapërisë ku epiqendra tanimë është në Evropë, mirëpo ne duhet t’i marrim përvojat e vendeve tjera. Duke pasur parasysh ato që kemi diskutuar mbrëmë e sot në takime me komunitete të caktuara në Kosovë, mirëpo edhe pas konsultave me IKSHPN-në, dua të theksoj që zyra ligjore e presidentit dhe Kuvendit janë duke punuar që të finalizohet procesi i dekretit të presidentit të Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha masave për tejkalimin e kësaj situate”, tha ai.