Thaçi i jep përgjigjen BE-së: Liqeni i Ujmanit, Mitrovica dhe Trepça, janë të panegociueshme

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka zhvilluar një bashkëbisedim në “Council on Foreign Relations” në Uashington, ku para një audience të specialistëve të rajonit ka folur për përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të sjellë paqe në Kosovë, paqe dhe stabilitet në rajon dhe do të ketë rol transformues në shoqërinë tonë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai tha se nuk do të jetë proces i lehtë arritja e marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, por sipas tij, ajo është e vetmja rrugë përpara për të evituar kthimin prapa në tensione dhe konflikte.

Kreu i shtetit tonë theksoi se qëllim kryesor i marrëveshjes është njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Duke shpjeguar pse rrethanat janë të favorshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, presidenti Thaçi u shpreh se këtë herë duket se edhe Serbia është e interesuar për marrëveshje me Kosovën, ndërsa edhe Rusia duket e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të arrihej në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, duke folur për rolin e SHBA-së, presidenti Thaçi u shpreh se mbështetja e Uashingtonit është vitale për Kosovën.

“Sa herë Kosova ka qenë bashkë me SHBA, ka dalë fitimtare. Edhe nëse kompromiset e bëra janë dukur të rënda në fillim, më vonë është treguar se kanë qenë vendimet më të mira strategjike”, tha ai.