Thaçi: Kosova gjithmonë i ka besuar drejtësisë ndërkombëtare,edhe pse nuk ka drejtësi për gjenocidin e Serbisë

Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi ka kujtuar 10 vjetorin nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare pro pavarësisë së Kosovës.

Thaçi ka thënë se populli i Kosovës gjithmonë i ka besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që akoma nuk ka drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë.

“Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ky është shkrimi i plotë:

Sot u bënë 10 vjet kur u vulos përfundimisht subjektiviteti ndërkombëtar i shtetit të ri të Kosovës. Ne asnjëherë nuk kishim dyshime për të drejtën tonë historike, që të jetojmë të lirë në vendin tonë të pavarur dhe sovran. Serbia pas humbjes së luftës në Kosovë, duke mos u pajtuar me këtë fakt, kishte vendosur ta dërgonte rastin e shpalljes së pavarësisë së shtetit tonë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ne, populli ynë, gjithmonë i kemi besuar drejtësisë ndërkombëtare, përkundër faktit që ende nuk kemi drejtësi për gjenocidin e shtetit të Serbisë të kryer mbi popullatën civile shqiptare në Kosovë. I kemi besuar dhe vazhdojmë t’i besojmë drejtësisë ndërkombëtare, sepse gjithmonë ishim dhe vazhdojmë të jemi në të drejtën tonë!

Kujtojmë, që sot bëhen 10 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Me 10 vota pro dhe 4 kundër anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Vendimi ishte lexuar nga presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në atë kohë, Hiasashio Ovada.